image Turqia thotë se përmirësimi i marrëdhënieve me Izraelin do të ndihmojë palestinezët

Botë

Turqia thotë se përmirësimi i marrëdhënieve me Izraelin do të ndihmojë palestinezët

news image

Gjatë vizitës së tij në Izrael, ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu deklaroi se përmirësimi i marrëdhënieve me Izraelin do ta ndihmonte popullin palestinez.

Cavusoglu, i cili u takua me zyrtarët palestinezë në Bregun Perëndimor, vizitoi sot Jerusalemin, vizitë kjo e para e një zyrtari të lartë turk në më shumë se 15 vjet.

Turqia dhe Izraeli po përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre, pasi ato u përkeqësuan në vitin 2008, për shkak të një operacioni ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u ndërprenë totalisht në vitin 2010, kur forcat izraelite mësynë një anije humanitare turke, gjatë një operacioni që shkaktoi 10 viktima, të gjithë me shtetësi turke.

Cavusoglu dhe homologu i tij izraelit, Yair Lapid theksuan se lidhjet ekonomike kishin vazhduar të rriteshin, pavarësisht vitesh armiqësie mes dy vendeve.

“Ne nuk do të pretendojmë se marrëdhënia jonë nuk ka parë uljet dhe ngritjet e saj”, tha Lapid.

“Edhe në kohët kur tensionet politike kanë qenë të larta, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona ka qenë në rritje të vazhdueshme”.

Duke iu adresuar konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, Cavusoglu u shpreh se Turqia dhe Izraeli mund “të adresojnë mosmarrëveshjet e tyre në një mënyrë më konstruktive.”

“Turqia është gati të marrë përgjegjësinë e saj dhe të vazhdojë të kontribuojë për dialogun mes Izraelit dhe Palestinës” – deklaroi ai.

Pasi u takua me Lapid, Cavusoglu vizitoi xhaminë e Al-Aksa në pjesën lindore të Jeruzalemit, vendi i tretë më i shenjtë për botën Islame dhe skenë e përleshjeve të përsëritura midis palestinezëve dhe policisë izraelite gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Cavusoglu tha më herët se dialogu midis presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologut të tij izraelit, Isaac Herzog, ndihmoi në “mbajtjen e qetësisë” gjatë Ramazanit.

/GazetaSinjali/