image Trumpi mban fjalimin e fundit si president i SHBA-së: Lutemi që Administrata e re të ketë sukses

Botë

Trumpi mban fjalimin e fundit si president i SHBA-së: Lutemi që Administrata e re të ketë sukses

news image

Donald Trump ka folur për herë të fundit si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fjalimin e tij, ai ka përcjellur një mesazh më shumë pajtues sesa lamtumirës.

“Këtë javë, ne përurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të prosperuar”, thotë republikani në video-mesazhin e tij.

“Ne bëmë atë që kemi ardhur këtu për të bërë – dhe shumë më tepër”, pohoi republikani.

Ai përshkruan arritjet e tij dhe thotë se punoi me ngulm për popullin amerikan, duke e formuar presidencën e tij si një që përkrah të harruarit ndërsa nuk bën falje për qasjen e pacipë ndaj politikës, raporton CNN.

“Amerika nuk është një komb i ndrojtur i shpirtrave të zbutur që duhet të strehohen dhe të mbrohen nga ata me të cilët ne nuk pajtohemi”, pohoi presidenti.

Ai nuk përmend Bidenin, por aludon për dhunën në Kongresin amerikan, të cilën e dënon me tone të ashpra.

“Të gjithë amerikanët u tmerruan nga sulmi ndaj Capitolit tonë. Dhuna politike është një sulm ndaj gjithçkaje që ne vlerësojmë si amerikanë. Nuk mund të tolerohet kurrë,” tha ai duke shtuar se “tani, ndërsa jam duke u përgatitur t’i dorëzoj pushtetin një administrate të re në mesditën e së mërkurës, dua që ju të dini se lëvizja që kemi filluar vetëm sa po fillon”.

/GazetaSinjali/