Një rast i rëndë dhe tronditës është duke u hetuar në Republikën Çeke, ku një grua 35-vjeçare dyshohet se ka vrarë foshnjën e saj të porsalindur dhe më pas ka tentuar të fshehë gjurmët e krimit, në një ngjarje që ka alarmuar autoritetet dhe opinionin publik.
Sipas autoriteteve çeke, hetimi nisi pasi në qytetin Kynšperk nad Ohří, në Boheminë Perëndimore, rreth 20 kilometra nga kufiri me Gjermaninë, një qytetare gjeti dorën dhe krahun e një foshnje të vdekur në një parcelë toke.
Zbulimi menjëherë ka çuar në një operacion të gjerë policor, gjatë të cilit forcat e rendit kontrolluan zona të tëra përreth, përfshirë kopshte dhe kontejnerë mbeturinash, por pa arritur fillimisht të gjenin pjesë të tjera të trupit, raporton Bluewin.ch.
Pas hetimeve intensive, policia ka arritur te një grua 35-vjeçare, e cila jeton me partnerin e saj në shtëpinë e prindërve të tij. Ajo është arrestuar të premten dhe po hetohet nën dyshimin për vrasje veçanërisht të rëndë.
Sipas mediave lokale, fqinjët kanë deklaruar se gruaja ishte dukshëm shtatzënë deri së fundmi, ndërsa më pas barku i saj është zhdukur papritur pa u parë ndonjë foshnje e porsalindur, çka ka shtuar dyshimet në rast.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe pretendime shqetësuese të raportuara nga media “Deník”, sipas të cilave dyshohet se gruaja mund t’ua ketë dhënë mbetjet e foshnjës qenve për t’i ngrënë, megjithatë kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Autoritetet çeke kanë bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe ende nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar për motivin apo rrethanat e sakta të shtatzënisë, lindjes dhe vdekjes së foshnjës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!