image Top ngjarjet e javës në ekonomi/ Nga aksioni i Policisë në Ministrinë e Bujqësisë deri te paralajmërimi i Kurtit për AKP-në

Financa

Top ngjarjet e javës në ekonomi/ Nga aksioni i Policisë në Ministrinë e Bujqësisë deri te paralajmërimi i Kurtit për AKP-në

news image

Aksioni i Policisë së Kosovës në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ishte ngjarja kryesore që e karakterizoi këtë javë.

Gjatë këtij aksioni, Departamenti i Krimeve të Rënda arrestoi 2 qytetarë dhe 10 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte bërë të ditur se pas bastisjes së disa lokacioneve kanë arrestuar kanë sekuestruar 400 mijë euro.

Lumezi gjatë një konferencë për media kishte bërë të ditur se në muajin janar ka filluar grumbullimi i provave dhe informacioneve lidhur me këtë rast për ryshfet në subvencionet bujqësore, ndërsa arrestimi i 12 personave është bërë për keqpërdorim dhe shpërdorim detyre, marrje dhe dhënie ryshfeti.

Policia e Kosovës kishte zhvilluar aksione në Komunën e Prishtinës, atë të Istogut, Gjilanit, Podujevës dhe Lipjanit.

Përveç kësaj, dorëheqja e Hykmete Bajramit nga pozita e ministres në detyrë së Financave ishte njëra nga ngjarjet që karakterizuan këtë javë.

Bajrami kishte pohuar dorëheqjen nga kjo pozitë.

Sot nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti kam kërkuar lirim nga detyra e ministres së Financave”, kishte pohuar Bajrami.

Ajo ishte emëruar ministre e Financave në Qeverinë Hoti, pasi ajo ka qenë ministre e Arsimit në Qeverinë Kurti.

Gjatë kohës kur Bajrami ishte ministre e Financave kishte ndodhur vjedhja e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Menjëherë pas largimit të saj, Agim Krasniqi është emëruar në pozitën e ministrit në detyrë të Financave.

Krasniqi para se të emërohej në këtë pozitë, kishte qenë zëvendësministër në detyrë i këtij dikasteri.

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti në fillim të javës kishte reaguar ndaj bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) lidhur me vendimet që kjo e fundit i ka marr.

Sipas Kurtit, bordi i AKP-së paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional.

Ai ka kërkuar që ky bord të mos sfidojë mekanizmat institucional dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi.

E shoh shumë të rëndësishme që publikisht t’i drejtohem bordit të AKP-së me kërkesë që të mos sfidojë mekanizmat institucional dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi. Ju bëj me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë sonë vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrjedhimisht, brenda kësaj kornize do të trajtohet edhe sfidimi eventual i bordit të AKP-së në raport me qeverinë dhe kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”, kishte shkruar Kurti në Facebook.

Pas thirrjes së Kurtit, AKP ka njoftuar se bordi ka marrë vendim për pezullimin e valëve të shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 14 shkurt 2021.

“Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit njofton opinionin se në takimin e tij joformal të mbajtur javën e kaluar, me datë 19 shkurt 2021, ka udhëzuar Menaxhmentin e AKP-së që të mos vazhdoj me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 14 shkurt 2021”, thuhej në njoftimin e AKP-së.

Një nga ngjarjet kryesore të javës ishte edhe njoftimi i Prokurorisë së Shtetit se ka bllokuar disa asete që lidhen për rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove në Thesarin e Shtetit.

Sipas njoftimit, për këtë rast janë bllokuar 34 llogari bankare, 600 mijë euro dhe janë sekuestruar 4 vetura.

Ju njoftojmë se janë ngrirë 34 llogari bankare, të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K. SH, pronar i (LDA Group). Vlen të theksohet se deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600,000 euro, janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro”, thuhej në njoftim.

Po ashtu, gjatë kësaj jave, rreth 700 punëtorë të ndërmarrjes Trepça ende nuk e kanë marrë rrogën e muajit janar, për të cilën thonë se javën e ardhshme mund të hyjnë në grevë të përgjithshme.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani i cili në një prononcim për Telegrafin u shpreh se edhe pse ju premtuan që më 10 shkurt do t’ia qesin rrogat e janarit një gjë e tillë nuk ndodhi.

1 milion e 700 mijë janë ndarë subvencione për Trepçën që 10 dite janë nënshkruar. Të hënën thanë që na i qesin. Keni prit që më 10 shkurt me ia marrë rrogat, e tash vjen muaji mars e as rrogat e shkurtit si kemi marrë. Të shtunën dhe të dielën do punojmë, e do presim deri në fillim të javës tjetër, nuk ua qesin pagat ne do të hyjmë në grevë të përgjithshme, edhe pse ky vendim ende nuk është definitiv. 1,500 punëtorë marrim paga, 800 vetë që kanë marrë 70 për qind, e 700 të tjerë nuk kanë marrë paga”, kishte paralajmëruar Osmani.

Nga lajmet botërore që karakterizuan ekonominë ishte rënia e theksuar e kriptovalutës Bitcoin.

Gjatë kësaj javë, Bitcoin është tregtuar nën nivelin e 50 mijë dollarëve, gjë që është zhvlerësimi më i shpejtë që ka ndodhur për këtë kriptovalutë. /Gazeta Sinjali/