image Thyhen zyrat e shoqatës Sindikale të MPJ-së

Thyhen zyrat e shoqatës Sindikale të MPJ-së

news image

Shoqata Sindikale e Anëtareve të Shërbimit të Jashtëm ka reaguar kundër menaxhmentit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të cilët pretendojnë se kanë ndërruar cilindrin e derës së kryetarit të Shoqatës Sindikale, Agron Maloku dhe pamundësuar qasjen në zyrën e tij.

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës  njofton lidhur me aktin e fundit të cenimit të së drejtës për organizim sindikal brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, veprime të cilat sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe imunitetit sindikal.

“Pas largimit të kryetarit të Shoqatës Sindikale, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, sot më datë 28 shtator 2022, menaxhmenti i MPJD-së në mënyrë të dhunshme ka hyrë në zyrën e Kryetarit të Shoqatës Sindikale, Agron Maloku, duke e ndërruar cilindrin e derës dhe duke pamundësuar qasjen në zyrën e tij, në arkivin, vulën dhe dokumentacionet tjera të Shoqatës të krijuara vite me radhë që nga themelimi saj në mars të vitit 2017”, thuhet në njoftim.

Shoqata Sindikale nëpërmjet një njoftimi për media i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe policisë që të hetojnë këtë rast.

“Me këtë akt të turpshëm dhe kundërligjor, menaxhmenti i MPJD-së është duke e thelluar kundërligjshmërinë dhe konsumuar dhe kryer vepra penale të inkriminuara me legjislacion penal në Republikës e Kosovës. Shoqata Sindikale iu bënë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrin urgjentisht veprimet në drejtim të hetimit të rastit dhe ndjekjes penale të autorëve të këtij veprimi kundërligjor”. thuhet më tutje në njoftim.

Kjo sindikatë, mes tjerash, thotë se çdo lëshim eventual i ndonjë dokumenti në emër të Shoqatës Sindikale konsiderohet si keqpërdorim nga zyrtarët përgjegjës për ndërmarrjen e këtij veprimi të kundërligjshëm.

/GazetaSinjali/