image Tentim vrasja në Klinë, Gjykata merr vendim për njërin nga të dyshuarit

Drejtësi

Tentim vrasja në Klinë, Gjykata merr vendim për njërin nga të dyshuarit

news image

Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Rasim Dakës, të dyshuarit për tentim vrasjen në Klinë, më 18 maj, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se kërkesa është aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, i cili ia ka caktuar Dakës 1 muaj paraburgim.

Daka u ndalua gjatë ditës së djeshme pasi u lirua nga spitali, ku po trajtohej për shkak të plagëve të marra gjatë përleshjes.

Ndryshe, mesditën e 18 majit, familjet Gashi e Daka nga Klina, u përleshën mes vete si pasojë e një ngatërrese e cila eskaloi në përdorim të armës.

Gjithë ngjarja dyshohet se ndodhi pasi tre anëtarë të familjes Daka, dyshohen se filluan sulmin ndaj avokatit, Veton Puka, dhe për t’i dalë në mbrojtje këtij të fundit, ndërhyri edhe familja Gashi..

Sipas burimeve të Sinjalit brenda spitalit, përpos Rasimit, plagë ka pësuar edhe Fitim Gashi, i cili është plagosur në këmbë dhe po vazhdon trajtimin mjekësor në spital, teksa Maliq Daka ka dëmtuar disa dhëmbë gjatë përleshjes.

Burimet e Sinjalit thonë se në këtë përleshje u përdorën armë nga Fitim Gashi dhe Rasim Daka, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë përfshirë në rrahje.

Fitim Gashi dhe Rasim Daka do të hetohen për kryerjen e veprës penale “vrasje në tentativë”, ndërsa të tjerët për ‘pjesëmarrje në rrahje”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/