Tajvani paralajmëroi dje se manovrat ushtarake të Kinës nuk janë thjesht stërvitje ushtarake për pushtimin e ishullit të vetë-qeverisur, por ato pasqyrojnë ambiciet e Kinës për të kontrolluar zona të gjera të Paqësorit perëndimor.
Paralajmërimi bëhet ndërsa Tajvani filloi manovrat e veta ushtarake për të treguar se është gati të mbrohet nga një sulm i mundshëm.
E zemëruar nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi, që vizitoi Tajvanin ditët e fundit, Kina dërgoi anijet dhe avionët e vet, përtej vijës që ndan të dy palët në ngushticën e Tajvanit. Raketat e lëshuara nga Kina ranë në ujërat pranë Tajvanit.
Manovrat kineze filluan të enjten dhe kanë ndërprerë fluturimet dhe transportin në një prej zonave më të ngarkuara tregtare në botë.