image Të shtëna me armë në Vushtrri, i dyshuari shkrep 13 plumba "veç për qef” - Sinjali

Të shtëna me armë në Vushtrri, i dyshuari shkrep 13 plumba “veç për qef”

news image

Gjuajtjet me armë zjarri tashmë janë bërë një dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, në shumicën e rasteve kanë qenë edhe tragjike. Për një rast të tillë ka nisur hetimet së fundmi Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Por këtë herë, Sinjali mëson se arma nuk u përdor as në përleshje e as në ndonjë incident tjetër, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë thënë për Sinjalin se një person shtiu mbi 10 herë derisa ishte në lëvizje me një veturë, në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë, pas mesnate.

Policia u njoftua nga disa qytetarë për të shtënat me armë, me ç’rast dolën në vendin e ngjarjes dhe nisën kërkimet për ta kapur të dyshuarin.

I dyshuari, 52-vjeçar, është kapur në Mitrovicë dhe është kontrolluar nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme. Zyrtarët policorë ia gjetën atij armën e përdorur dhe një boks të hekurit, që u konfiskuan më pas.

Ndërkohë, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku para hetuesve policorë ka deklaruar se ka gjuajtur me armë “veç për qejf” dhe jo për ndonjë arsye tjetër. Përdorimi i armës dhe mbajtja e saj pa autorizim përbëjnë vepra penale dhe sanksionohen në bazë të Kodit Penal të Kosovës. Prandaj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të nisin hetimet për këto dy vepra penale.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin