Gazeta Sinjali para pak ditësh raportoi se si një qytetar nga Fushë-Kosova kishtë rënë pre e një mashtrimi dy vjet më parë. Ai ka thënë se kishte paguar rreth 4 mijë euro për t’i tërhequr 16 milionë dollarë, të cilët tre persona nga Gana i kanë thënë se ia ka lënë trashëgim një person me emrin Gabriel, i cili gjoja kishte mbiemrin e tij.
Në adresë të Gazetës Sinjali ka ardhur edhe një rast i ngjashëm. Një qytetar me mbiemrin Beqiri (emër i njohur për redaksinë) ka bërë të ditur për Sinjalin se një person i është prezantuar si një zyrtar banke nga Bangkoku i Tajlandës me emrin Cheong Wee, teksa i ka premtuar se do t’i ndajë me të 12 milionë e gjysmë dollarë nëse është i interesuar të bashkëpunojë me të.
Personi me llogarinë në Facebook Diamond Diamond i ka thënë qytetarit se këto para ishin të një kosovari me emrin Allen Beqiri që siç i ka shkruar ai, kishte jetuar në Tajlandë por më pas kishte ndërruar jetë në Rajonin Qendror të Rostovit në Don të Rusisë, pas rrëzimit të aeroplanit atje.
“Një qytetar i Vendit tuaj me emrin e ndjerë Allen Beqiri, i cili ishte në biznesin e arit këtu në Bangkok kishte një depozitë fikse në bankën time në 2007, me vlerë prej 12,500,000.00 US $ (Dymbëdhjetë Milion e Pesëqind Mijë Dollarë të Shteteve të Bashkuara) data e duhur për këtë depozitë ishte e fundit 19 Mars 2016. Mjerisht, Allen ishte midis viktimave në Rrëzimin e fundit Ajror në Rusi duke përfshirë gjashtëdhjetë e dy pasagjerë në Rajonin Qendror të Rostov në Don”, thuhet në mesazhin që i është dërguar atij.
Tutje personi i prezantuar si Cheong Wee i ka shkruar qytetarit se menaxhmenti i bankës nuk ka dijeni për vdekjen e personit të cilit ai i referohet si Allen Beqiri dhe se ai kishte vendosur t’i ndante paratë me të pasi kishte mbiemrin e njëjtë.
“Allen Beqiri, nuk përmendi ndonjë tjetër të Kin / trashëgimtarit kur u hap llogaria, dhe ai nuk ishte i martuar dhe nuk kishte fëmijë. Menaxhmenti im i bankës ende nuk ka dijeni për vdekjen e tij, tani po kërkoj bashkëpunimin tuaj për t’ju prezantuar si Next of Kin / Trashëgimtar në llogari, pasi që ju keni të njëjtin mbiemër me të dhe selia e bankës sime do t’ju lëshojë llogarinë ne i ndajmë paratë e barabarta, ju lutem më kontaktoni menjëherë përmes adresës time personale të postës elektronike ose WhatsApp nëse jeni të interesuar”, shkruhet tutje.
Poshtë kësaj ai ka lënë edhe adresën e e-mailit dhe numrin e Whatsapp.
Ndërkohë qytetari ka thënë për Gazetën Sinjali se do ta lajmërojë rastin edhe në Policinë e Kosovës.
Për një rast të tillë të mashtrimit Gazeta Sinjali ka raportuar se ka ndodhur ditë më parë në Prizren. Atje një qytetar ka paguar 10 mijë euro për t’i tërhequr 5 milionë dollarë, të cilat një person në Facebook i ka thënë se t’i ka lënë trashëgim një i afërm.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet. /Gazeta Sinjali/