image Sveçla: 26 korriku të shpallet datë përkujtimore për policët e rënë në detyrë

Kosovë

Sveçla: 26 korriku të shpallet datë përkujtimore për policët e rënë në detyrë

news image

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me rastin e zbulimit të pllakës përkujtimore për 21 zyrtarët policorë të rënë në detyrë, ka kërkuar që 26 korriku të shpallet datë përkujtimore për ta, raporton Gazeta Sinjali.

Nga Kroacia, Sveçla ka thënë se 21 zyrtarë policorë kanë rënë për të mbrojtur shtetin tonë, dinjitetin shtetëror dhe vlerat demokratike të shoqërisë sonë.

“Sot, ne përkujtojmë policët tanë të cilët ranë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Pllaka që u zbulua nga Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Drejtori i Policisë me 21 emrat e heronjve tanë të gdhendur në të, do të qëndrojë përgjithmonë aty, në oborrin e institucioneve tona”, shkroi ai në Facebook.

Numri një i MPB-së tha se “e kemi obligim institucional e moral, shoqëror e shtetëror, individual e kolektiv, që t’i nderojmë policët e rënë me konsideratat më të larta shtetërore”, sepse sipas tij, vetëm duke i nderuar ata, ne nderojmë vetveten.

Ai u zotua se do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e tij që Policia e Kosovës të jetë edhe më profesionale, me integritet të lartë dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve, e krahasuar me vendet e botës demokratike.

Sveçla po ashtu bëri publike kërkesën e tij zyrtare të drejtuar te kryeministri Albin Kurti, që 26 korrikun ta shpallin edhe me ligj të Republikës së Kosovës si datë përkujtimore për policët e rënë në kryerjen e detyrës, e ku çdo vit, do të kujtohen me nderimet më të larta shtetërore./Gazeta Sinjali/