image Sulmohet me thikë gjatë një seminari në Nju Jork, autori i librit “Vargje Satanike”

Botë

Sulmohet me thikë gjatë një seminari në Nju Jork, autori i librit “Vargje Satanike”

news image

Salman Rushdie, një shkrimtar me origjinë indiane, i cili para disa viteve u urdhërua të vritej nga Irani për shkak të shkrimeve të tij, u sulmua në skenë gjatë një eventi në Nju Jork, sipas një dëshmitari që foli për agjencinë e lajmeve Reuters.

Një burrë nxitoi në skenën e Institutit Chautauqua në shtetin e Nju Jorkut dhe sulmoi Rushdie teksa po prezantohej, tha dëshmitari. Sulmuesi mësohet se është ndalur në vendngjarje. Aktualisht nuk dihet gjendja e Salman Rushdie.

“Ne kemi të bëjmë me një situatë emergjente. Nuk mund të ndaj detaje të mëtejshme në këtë moment,” tha një zëdhënës i Institutit Chautauqua kur u kontaktua nga agjencia e lajmeve Reuters.

Rushdie, i cili ka lindur në një familje muslimane indiane, është përballur me kërcënime me vdekje për romanin e tij të katërt, “Vargjet Satanike”, për të cilin disa muslimanë thanë se përmbante pasazhe blasfemuese. Romani u ndalua në shumë vende me popullsi të madhe myslimane pas botimit të tij në vitin 1988.

Një vit më vonë, Ayatollah Ruhollah Khomeini, asokohe lideri suprem i Iranit, shpalli një “fetva”, ose dekret fetar, duke u bërë thirrje muslimanëve të vrisnin shkrimtarin për blasfemi.

Irani më vonë u tërhoq nga urdhri dhe Rushdie ka jetuar relativisht i pashqetësuar në vitet e fundit, raporton REL.

Rushdie ishte në Institutin Chautauqua për të marrë pjesë në një diskutim rreth shërbimit të Shteteve të Bashkuara si azili për shkrimtarët dhe artistët në mërgim dhe “si një shtëpi për lirinë e shprehjes krijuese”, sipas faqes së internetit të institucionit.

Agjencia Wylie, e cila përfaqëson Rushdie, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

/GazetaSinjali/