Ndërtesa e komunës së Zveçanit mbrëmë është sulmuar me granatë dore.
Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se nga ky sulm janë shkaktuar dëme materiale.
Përveç policisë, detaje në lidhje me këtë rast ka dhënë edhe kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci.
Ai ka publikuar disa fotografi ku shihen dëmet materiale që janë shkaktuar nga sulmi, ndërsa e ka dënuar ashpër sulmin.
“Sulm me granata dore rreth orës 23:45 në objektin e Komunës së Zveçanit. Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:45, disa individë të paidentifikuar kanë kryer një sulm ndaj objektit të Komunës së Zveçanit me granata dore.
Ky akt i dhunshëm ka shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Si Kryetar i Komunës, unë e dënoj fuqishëm këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit ku para dy dite ka ndodhur i njëjti sulm në stacionin policor të Komunës së Zveçanit”, ka shkruar Peci.