image Subvencionimi i dyfishtë/"Doku Fest" dhe fondacioni "Lumbardhi" morën dy herë subvencione nga ministria për projekte të njëjta

Financa

Subvencionimi i dyfishtë/”Doku Fest” dhe fondacioni “Lumbardhi” morën dy herë subvencione nga ministria për projekte të njëjta

news image

Zyra e Auditorit ka publikuar raportin për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për vitin 2020, raporton Gazeta Sinjali. Në këtë raport janë cekur shkeljet e gjetur brenda kësaj ministrie gjatë vitit të kaluar, sa u përket ndarjeve të subvencioneve.

Auditori ka gjetur se Ministria e Kulturës ka bërë subvencionimin e dyfishtë për një projekt të njëjtë.

Kështu, dy departamente të kësaj ministrie kanë kryer dy herë pagesa për Organizatën Joqeveritare “DokuFest” dhe për Fondacionin “Lumbardhi”, për një projekt të njëjtë.

Sipas auditorit, këto dy organizata joqeveritare kishin përfituar mjete financiare në vlerë prej 47 mijë e 500 euro nga dy departamente të MKRS-së, për të njëjtat projekte, raporton Gazeta Sinjali.

Për vlerën 19 mijë e 500 euro të subvencionimit të dyfishtë, në dëshmitë e ofruara në dosjen e aplikimit, auditori gjeti që “DokuFest” dhe “Lumbardhi”, nuk kishin prezantuar deklaratë të saktë mbi financimin e dyfishtë të mjeteve.

Auditori vlerëson se kjo gjë kishte ndodhur si rezultat i kontrollit të dobët nga zyrtarët përgjegjës për vlerësimin e aplikacioneve e deri te realizimi i pagesave, si dhe në mungesë të bashkëpunimit mes departamenteve brenda ministrisë.

“Mungesa e këtyre kontrolleve në vlerësimin e aplikacioneve dhe ekzekutimin e pagesave për dhënien e subvencioneve, si dhe moskoordinimin dhe bashkëpunimin brenda departamenteve të ministrisë, rrit rrezikun e dëmtimit të buxhetit të saj, si pasojë e financimit të njëjtit projekt nga departamente të ndryshme brenda ministrisë”, thuhet në këtë raport.

Auditori rekomandon ministrin që të sigurojë që secili vendim për subvencionim të jetë konform kërkesave të rregullores. Për më tepër, kërkohet që ministri të iniciojë rishikimin e këtyre rasteve, me qëllim që të parandalojë një praktikë të tillë./Gazeta Sinjali/