image Stresi pas tërmetit, mjekët tregojnë se si duhet të veproni me fëmijët

Kosovë

Shqipëri/ Stresi pas tërmetit, mjekët tregojnë se si duhet të veproni me fëmijët

news image

Pasojat mendore të frikës nga tërmetet do të ndihen pas disa javësh, thonë psikiatërit. Arjana Rreli, psikiatre, tregon  simptomat që na shqetësojnë në këto raste.

“Pothuaj gjysma e personave që kanë vuajtur stresin postraumatik, fillojnë të shfaqin shenja të çrregullimit. Ne aktualisht jemi në stres akut normal. Kur kalojnë 4 javë, atëherë rrezikojmë që ne të bëjmë çrregullim të stresit akut pas traumës. Pas 4 javëve te njeriu nuk shkrihet gjendja traumatike si çdo gjë që ka kurbën e vet, bie edhe intensiteti i përjetimit të traumës dhe parashikohet që shumica jonë të kalojë në normalitet”, shprehet ajo.

Rreli tregon se gjumi i shqetësuar, vizione të traumës vazhdojnë të përsëriten e janë të pranishme dhe njerëzit bëhen më nervozë dhe indiferentë, si rezultat  i çrregullimit të sistemit nervor, për çka duhet kërkuar ndihma e profesionistëve.

“Fëmijët e vuajnë shumë më tepër traumën. Pothuajse të gjithë nuk e kanë në përvojën e vet. Fëmija e ka fantazinë shumë të zhvilluar, ai mund ta amplifikojë stresin e vet me imazhe dhe përjetime që mund të lënë shenjë për jetën e tij për t’u shfaqur më vonë si çrregullim mendor”, shprehet Rreli.

Ajo thotë se prindërit duhet të gjejnë fillimisht qetësinë brenda tyre, pasi një reagim i gabuar mund të ketë më vonë një kosto të lartë.

“Prindi duhet të ruajë qetësinë e tij, t’i mbajë pranë vetes fëmijët, të flasin për këtë fenomen natyror”, tha ajo.

Bujë bëri rasti i një zonje nga fshati Domje që u hodh nga veranda me djalin 6-vjeç në krahë.

Rreli shpjegon këtë duke thënë se njerëzit janë të ndryshëm dhe secili bën zgjidhjen e tij të momentit.

“Kjo traumë përveçse na gjeti të papërgatitur, na gjen edhe në terren të stresorëve të tjerë që bën të humbim kontrollin dhe të na kapë paniku i momentit. Në tentativë për të shpëtuar ne i shkojmë një ekstremi tjetër, duke u vetë-dëmtuar. Ne nisemi nga instinkti i parë i mbrojtjes. Edhe nëna vrapoi për të mbrojtur fëmijët dhe veten. Qetësia dhe menaxhimi i stresit është shumë i rëndësishëm, jo vetëm një fjalë për t’u thënë”, tha psikiatria./tch