image Stoltenberg: Nuk do të ketë ndryshime të pranisë së NATO-së në Kosovë

Kosovë

Stoltenberg: Nuk do të ketë ndryshime të pranisë së NATO-së në Kosovë

news image

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka folur rreth pranisë së trupave të tyre në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas tij, nuk ka ndryshime në praninë e NATO-së në Kosovë, dhe as që pritet të ketë sepse të 20 vendet anëtare janë të përkushtuara për vazhdimin e mandatit.

Stoltenberg i bëri komentet pas takimit që zhvilloi të hënën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Ditë më parë, Vuçiq tha se kishte “informacione se një shtet i madh i NATO-s do të kërkojë largimin e misionit të NATO-s, KFOR, nga Kosova”.

“Nuk ka ndryshime në misionin e NATO-s dhe të 30 aleatët, përfshirë edhe SHBA-në, janë të përkushtuar për misionin e KFOR-it. KFOR-i është atje për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë dhe aleatët janë të përkushtuar. Ky mision është i bazuar qartë në mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka ndryshime”, tha Stoltenberg.

Ai tha se cilido ndryshim në mandatin e KFOR-it duhet të ndodhë vetëm me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s.

Vuçiq tha se “është i kënaqur me këto sqarime” dhe se shpreson që ky deklarim i Stoltenbergut do të konfirmohet edhe në samitin e NATO-s, në muajin qershor.

“Ndoshta ishte moskuptim i thashethemeve nga ana ime, por mund të them se jemi në rrugë të mirë për të ruajtur qetësinë në rajon”, tha Vuçiq.

Ai tha se me shefin e NATO-s kanë diskutuar për shumë çështje nga rajoni, posaçërisht çështjet e lidhura me Kosovën dhe raportet mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Bëra më të mirën që të bart mesazhin te Stoltenbergu se Serbia është 100 për qind e përkushtuar për dialog dhe për kërkim të zgjidhjes me kompromis. Shpresoj se të dyja palët do të kemi mjaft fuqi që të arrijmë sukses. Por, të dyja palët, në çdo rast, duhet ta ruajnë paqen”, tha Vuçiq, duke e falënderuar edhe personalisht Stoltenbergun./Gazeta Sinjali/