image Stafi civil i Zyrës së Kryeministrit vazhdon grevën, thonë se nuk heqin dorë pa u anuluar rregullorja për vendet e punës

Kosovë

Stafi civil i Zyrës së Kryeministrit vazhdon grevën, thonë se nuk heqin dorë pa u anuluar rregullorja për vendet e punës

news image

Gazeta Sinjali dje raportoi se punëtorë të Zyrës së Kryeministrit janë futur në grevë.

Në lidhje me këtë çështje është krijuar një këshill grevist i cili përbëhet nga Arben Krasniqi, Isa Hajdari dhe Arlinda Sejdiu-Likaj.

Këta po kërkojnë anulimin e Rregullores nr.01/2020 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Zyrën e Kryeministrit.

E si duket kjo grevë nuk do të ndalet deri në anulimin e kësaj rregulloreje.

Përmes një reagimi për media, nga Këshilli Grevist është precizuar se janë duke e kundërshtuar këtë rregullore për shkak të shkeljeve ligjore që janë vërë gjatë hartimit të saj.

 “Kjo Rregullore është duke u kundërshtuar për shkak të shkeljeve ligjore të cilat kanë ndodhur gjatë procesit të hartimit të saj. Grevistët e vlerësojnë se kjo Rregullore përbën shkelje të shumta procedurale dhe materiale të legjislacionit në fuqi. Greva do të vazhdojë deri në Anulimin e Rregullores 01/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në konferencën e mbajtur sot ka folur edhe për grevën brenda Zyrës së Kryeministrit.

Hoti ka thënë se draftimi i Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në zyrën që ai drejton, ka ndodhur si rezultat i Ligjit për Administratën Shtetërore që ka hyrë në fuqi vitin e kaluar.

Ligji për Administratën Shtetërore që ka hyrë në fuqi në verë të vitit të kaluar, na ka obliguar edhe neve që të përgatisim Rregulloren për Organizim të Brendshëm të Zyrës së Kryeministrit në këtë rast dhe ministrive përkatëse. Ka ndodh një rikonstruim i Qeverisë me vendim të Kuvendit, ku janë shkrirë disa ministri dhe bashkimi i disa ministrive në një ministri të vetme dhe në bazë të ligjit jemi të obliguar të bëjmë riorganizimin e Administratës Shtetërore”, ka thënë Hoti./Gazeta Sinjali/