image Sot është paraparë që koalicioni LVV-LDK të arrihet ose të dështojë përfundimisht

Kosovë

Marrëveshja/ Sot është paraparë që koalicioni LVV-LDK të arrihet ose të dështojë përfundimisht

news image

Sot është dita kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të duhej të merreshin vesh për ndarjen e pozitave qeverisëse dhe për arritjen e marrëveshjes për koalicion.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ditë më parë pas mbledhjes së kryesisë së partisë e cila zgjati tri orë, në një deklaratë për media kishte thënë se fundi i kësaj jave duhet të jetë vendimtar për arritjen e koalicionit me LVV-në, duke theksuar se LDK mbetet te propozimi i tyre i fundit.

“Ne kemi dhënë një propozim që kemi vlerësuar se është shumë i balancuar dhe mendojmë se Vetëvendosja duhet ta trajtojë më vëmendje të veçantë. Të ketë një përfundim sa më të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë që nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, kishte thënë Isa Mustafa.

Ndërkaq nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se shumë shpejt do të takohen me përfaqësuesit e LVV-së për ta përafruar marrëveshjen përfundimisht.

Osmani e la të hapur mundësinë që përkundër afatit të vënë deri ditën e diele të negociohet, ata të takohen edhe më pas me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Këto 2-3 ditë duhet të shfrytëzohen në mënyrë efektive. Gjithçka varet çka do të diskutohet këto 2-3 ditë për të vazhduar më pas”, është shprehur Osmani.

LDK dhe LVV po tentojnë të merren vesh për mundësinë e një koalicioni bashkëqeverisës. Megjithatë, deri sot, ditë e diel, marrëveshja ndërmjet LVV-së dhe LDK-së nuk është arritur ende../Gazeta Sinjali/