image "S'janë fëmijët e mi këta"/ Rahovecasi ushtron dhunë ndaj gruas, përfundon në pranga

Siguri

“S’janë fëmijët e mi këta”/ Rahovecasi ushtron dhunë ndaj gruas, përfundon në pranga

news image

Dhuna në familja vazhdon të mbetet një ndër dukuritë më shqetësuese në vend, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat keqtrajtohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes. Ato madje kërcënohen e dëbohen edhe nga shtëpitë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur të shtunën, në një familje në rrugën “Xhelal Hajda” në Rahovec, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilës i ka shkaktuar frikë e shqetësim të madh.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari L.I., i ka shkaktuar dhunë psikike vazhdimisht gruas së tij, duke i kërkuar edhe që të largohet nga banesa e tyre. Dhunës në familjen e tyre i kulmoi rasti i fundit, që ndodhi pas mesnate, kur plasi sherri mes tyre dhe i dyshuari i tha bashkëshortes se “këta fëmijë nuk janë të mitë, dil nga banesa”.

Përballë kësaj situate, viktima vendosi ta raportojë rastin në Polici, ku si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë 29-vjeçari, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

/GazetaSinjali/