image Sinjali i Mjekut: Si të jetojmë me pandeminë?

Analizë

Sinjali i Mjekut: Si të jetojmë me pandeminë?

news image

Sot, pothuajse çdo njeri në botë e ka kuptuar se shëndeti nuk është gjithçka por pa shëndet gjithçka është asgjë, thotë për Gazetë Sinjali drejtori i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla.

Sipas Sylës, mbrojtja më e mirë kundër shpërthimit të sëmundjeve dhe kërcënimeve të tjera për shëndetin, është gatishmëria e shëndetësisë publike për të investuar në ndërtimin e sistemeve të forta shëndetësore.

“Virusi do të jetë në mesin tonë edhe për një kohë. Askush nuk mund ta përcaktojë saktë sa kohë, sigurisht me muaj apo edhe vite. Pavarësisht kësaj ne duhet të rifillojmë jetën në një “normalitet të ri”. Nuk mund të qëndrojmë pafundësisht të mbyllur nëpër shtëpitë tona“ – thotë Syla.

Përderisa ende nuk dihet se kur do ta kemi vaksinën apo trajtimin e duhur për virusin, për të reduktuar rrezikun nga infektimi, secili duhet të përgatitet për një maratonë të sjelljeve të përgjegjshme, thotë Syla.

“Pastroni rregullisht dhe tërësisht duart me sapun dhe ujë apo me gel të bazuar në alkool 65-70 përqind, sepse larja e duarve me sapun dhe ujë ose pastrimi i tyre me bazë alkooli vret viruset që mund të jenë në duart tuaja. Mbani me vete çdoherë gel me bazë alkooli”

 Syla thotë se shumë njerëz përfshirë edhe individë të niveleve më të larta qeveritare përdorin dorëza rregullisht, kjo sipas tij është praktikë e gabuar.

“Ky është një model që nuk duhet ndjekur. OBSH nuk rekomandon përdorimin e rregullt të dorëzave në komunitet. Përdorimi i dorëzave mund të rrisë rreziqet, pasi mund të çojë në vetë-infeksion ose bartje tek të tjerët përmes prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara”.

Sipas tij në vendet publike përveç distancës fizike, OBSH rekomandon edhe instalimin e stacioneve për pastrimin e duarve në hyrje dhe dalje. Syla rekomandon mbajtjen e distancës të paktën për një deri në dy metra ndërsa thotë se shtrëngimet e duarve dhe grumbullimet e njerëzve në një vend duhet të evitohen.

Ai shton se e rëndësishmë është që të mos preken sytë, hunda dhe goja ndërsa duhet të mbahet me vete gjithmonë një faculetë në rast të kollitjes apo teshtitjes. Ndërsa me maskën duhet treguar kujdes i shtuar.

“Kam vërejtur se shumë individë maskat po i përdorin më tepër si dekor se sa për t’u mbrojtur. Para se të vendoset maska duhet të pastrohen duart. Maska e vendosur duhet që të mbulojë hundën dhe gojën dhe të jetë e puthitur mirë. Gjatë bartjes së maskës ajo nuk duhet që të preket asnjëherë sepse kështu mund të kontaminohet dhe pastaj maska e kontaminuar mund të jetë burim infeksioni. Pas përdorimit të maskës ajo duhet të largohet nga pjesa e pasme, të hudhet në vend të sigurtë dhe të pastrohen duart” – thotë ai.

Syla rekomandon që të ruani shëndetin tuaj nëpërmjet të ushqyerit të shëndetëshëm, evitimit të alkoolit dhe duhanit, aktivitetit të rregullt fizik, gjumit të mirë dhe energjisë pozitive.

 “Mënjanoni lajmet e tepërta për COVID-19, përpos atyre të domosdoshme” – përfundon ai.Gazeta Sinjali