image Sinjali i Mjekut: Ndotja e ajrit dhe ndikimi në shëndetin e njeriut

Analizë

Sinjali i Mjekut: Ndotja e ajrit dhe ndikimi në shëndetin e njeriut

news image

Pesë ndotësit kryesorë të ajrit janë ozoni, dioksidi i sulfurit, monoksidi i karbonit, oksidet e azotit dhe materiet grimcore, thotë për gazetën Sinjali pulmologu Besim Morina.

“Ndotësit grimcorë apo materiet grimcore zakonisht njihen si PM (që është shkurtesë për termin në gjuhën angleze Particulate Matter), paraqesin grimca shumë të vogla solide apo të lëngshme të cilat rrinë pezull në ajër. Ndotja me grimca më së shpeshti vjen nga makinat, djegia e drunjëve dhe qymyrit, termocentralet, rrugët e paasfaltuara, dhe industria. Gjatë djegieve të pyjeve apo stuhive të rërës ndotësit grimcorë arrijnë përqëndrime shumë të larta” -thotë Morina.

Sipas Morinës, disa grimca janë të mëdha sa shihen edhe me sy të lirë, por disa tjera janë aq të vogla sa mund të shihen vetëm me mikroskop, prandaj edhe rrreziku nga ato është i ndryshëm.

“Grimcat me diametër të madh janë më pak të rrezikshme pasi ato ndalen në hundë dhe rrugët e frymëmarrjes dhe këto nuk hyjnë në kategorinë e ndotësve të ajrit të cilët rregullohen me ligj. Materiet grimcore më të vogla se 10 mikrometër  mund të futen thellë në mushkëri dhe disa madje mund të kalojnë edhe në qarkullimin e gjakut. Prej këtyre, grimcat më të vogla se 2.5 mikrometër paraqesin rrezikun më të madh për shëndetin, pasi këto shpërndahen në tërë trupin, kështu që efektet e dëmshme të tyre nuk kufizohen vetëm në mushkëri por edhe në organet tjera si zemër, enë të gjakut, tru etj. Sa për krahasim fija e flokut të njeriut është me diametër rreth 70 mikrometra”

Më tutje doktori thotë se ndotja e ajrit me materie grimcore shkakton një sërë efektesh në shëndetin tonë. Ekzistojnë shumë studime të cilat e ndërlidhin ndotjen me materie grimcore me sëmundjet e mushkërive dhe të zemrës.

“Ekspozimi për një kohë të shkurtë, pra nga disa orë në disa ditë, zakonisht ndikon në përkeqësimin e sëmundjeve paraekzistuese. Kështu përveç irritimit të syve, hundës dhe fytit, ekspozimi afatshkurtë ndaj ndotjes me materie grimcore mund të shkaktojë keqësimin e sëmundjeve të mushkërive si astma bronkiale apo bronkiti kronik, rritë mundësine e sulmeve në zemër, crregullimin e ritmit të saj, dhe si përfundim e rrit numrin e të shtruarve në spital dhe të vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe të zemrës”

Në anën tjetër ekspozimi për një kohë të gjate, me vite mund të shkaktojë paraqitjen e sëmundjeve të zemrës dhe frymëmarrjes dhe t’a përshpejtojë shkallën e zhvillimit te tyre.

“Ekspozimi i gjatë ndaj ndotësve grimcorë (PM10 dhe PM2.5) ҫon në zvogëlimin e funksionit të mushkërive dhe shkurtimin e jetëgjatësisë.”

Doktori sygjeron që për të evituar këto efekte të dëmshme, duhet të përdoren alarmet e cilësisë së ajrit në mënyrë që të mbrohemi kur ndotja arrin nivele të dëmshme.

“Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) na tregon se sa i pastër ose i ndotur është ajri. Dhe kështu na ndihmon të kuptojmë kur të ndërmarrin veprime për të mbrojtur shëndetin tonë”- përfundon Morina./Gazeta Sinjali/