image Transmetimi i seancës statusore ndaj Thaçit dhe të tjerëve fillon në 11:45

Drejtësi

Transmetimi i seancës statusore ndaj Thaçit dhe të tjerëve fillon në 11:45

news image

Në 11:45 fillon transmetimi i seancës statusore në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hag për rastin e ish-eprorëve politikë e ushtarakë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Seanca mund të ndiqet live në këtë link. (www.scp-ks.org/sq/transmetim).

Ndryshe, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale në Hagë, Jack Smith, i ka dorëzuar në Gjykatën Speciale mbi 600 faqe material mbështetës rreth akuzave të cilat rëndojnë mbi ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtaret të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas Smith, UÇK-ja ka udhëhequr një ofensivë të veçantë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës, presidentit të asaj kohe, Ibrahim Rugovës dhe kryeministrit të qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi.

Në këtë material, UÇK-ja citohet se u ka bërë thirrje qeverisë dhe Bukoshit që të heqin dorë nga ideja se Kosova mund të çlirohet nga zyra me telefon dhe që t’i dorëzojë fondet që janë mbledhur për çlirimin e Kosovës.

“Në këtë kontekst, ofensivë e veçantë i drejtohej LDK-së – nën Presidentin RUGOVA dhe Kryeministrin e qeverisë në ekzil Bujar BUKOSHI – anëtarët e së cilës mbronin një politikë të rezistencës jo të dhunshme ndaj shtetit serb. Komunikata 040, për shembull, merr përgjegjësinë për një sulm të mëtejshëm kundër një ‘kolaboracionisti’ dhe thotë se: ‘lëvizja e dështuar pacifiste duhet ta kuptojë që Kosova dhe tokat e tjera shqiptare nuk mund të çlirohen nga zyrat dhe me telefon, por duke u angazhuar seriozisht në mbështetjen për luftën e armatosur. […] Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit BUKOSHI në veçanti të heqin dorë nga frazat boshe dhe të hutuara dhe t’i dorëzojnë fondet që janë mbledhur për çlirimin e Kosovës përfaqësuesve të UÇK-së. Lidhur me bisedimet mbi statusin e Kosovës dhe popullit shqiptar, UÇK-ja nuk do të njohë asnjë marrëveshje pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të saj në bisedime të tilla […]’”, shkruan Smith.

Madje, sipas kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, Jakup Krasniqi, sa ishte zëdhënës i UÇK-së kishte kërcënuar me vrasje Ibrahim Rugovën dhe zyrtarët e LDK-së, të cilët ishin kundër politikave të UÇK-së.

“Në qershor të vitit 1998, zëdhënësi zyrtar i UÇK-së, Jakup Krasniqi, pohoi se ‘luftëtarët e lirisë janë gjithashtu të aftë të marrin vendime politike. Ata që e mbrojnë vendin me gjakun e tyre lejohen të vendosin për fatin e tij: Ai shtoi se UÇK-ja ‘nuk do dhe nuk duhet’ të bjerë nën komandën e Ibrahim RUGOVËS, duke treguar se politika e LDK-së së udhëhequr nga Rugova ka prodhuar vetëm dështime në dhjetë vitet e fundit. ‘Tani për tani, nuk është Rugova ai që vendos për Kosovën, por UÇK-ja’, deklaroi KRASNIQI duke konfirmuar se në rast të tërheqjes së policisë dhe ushtrisë serbe nga Kosova do të ishte UÇK-ja ajo që do ta merrte menjëherë përsipër shtetin. Në të njëjtën intervistë KRASNIQI konfirmoi se ‘bashkëpunëtorët paralajmërohen se ne do t’i vrasim ata nëse vazhdojnë në rrugën e gabuar’”, thuhet në materialin e kryeprokurorit special.

/Gazeta Sinjali/