image Shqiptaro-amerikanët i kërkojnë Bidenit ta zhvendosë Gjykatën Speciale në Kosovë

Diasporë

Shqiptaro-amerikanët i kërkojnë Bidenit ta zhvendosë Gjykatën Speciale në Kosovë

news image

Shqiptarët e Shoqatës “Atlantiku”, i kanë kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që ta zhvendos Gjykatën Speciale për krime lufte nga Holanda në Kosovë.

Në një letër, kryetari i kësaj shoqate, Gani Shehu, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës argumenton se në këtë mënyrë do të zvogëlohej dëmi i madh ndaj Kosovës.

“Edhe pse Dhomat e Specializuara janë gjykatë e Kosovës, u pranua që edhe ato edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të barten jashtë Kosovës, në Hagë. Asnjëri nga gjykatësit, prokurorët dhe as administratorët e gjykatës nuk janë shtetas të Kosovës. Shqiptarët etnikë nuk lejohen të punojnë për gjykatën ndërsa shtetasit e Serbisë mund ta bëjnë këtë. Në mënyrë që të zvogëlohet ky dëm dhe që të sigurohet pavarësia e gjykatës ne kërkojmë vëmendjen tuaj për të ndaluar ndërhyrjet politike dhe për të zhvendosur Dhomat e Specializuara nga Haga në Kosovë. Kosova është vend sovran dhe do të duhej të administrojë drejtësinë dhe sistemin e gjyqësisë vetë”, thuhet në letrën që ata ia kanë dërguar Bidenit.

Bidenit përmes kësaj letre i tregohet gjithashtu se në këtë gjykatë s’ka asnjë punonjës shqiptar dhe se ndonëse këta të fundit s’mund të punojnë aty, serbët mund ta bëjnë këtë.

Pavarësisht faktit që agresorët në Kosovë ishin Serbia dhe Jugosllavia, të cilat kryen krimet më çnjerëzore të para në Europë prej Holokaustit gjatë L2B, të pandehurit e vetëm që janë arrestuar nga Dhomat e Specializuara janë shtetas të Kosovës. Gjatë luftës së Kosovës u vranë 1024 fëmijë shqiptarë dhe 109 ende janë të pagjetur; 20, 000 gra shqiptare u dhunuan; të gjitha këto krime të bëra nga ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë, dhe megjithatë ende asnjë serb apo pjesëtar nga etnitë tjera nuk është akuzuar nga Gjykata Speciale. Kjo i bën Dhomat e Specializuara gjykatë monoetnike”, thuhet më tutje në letër.

Kjo shoqatë i thotë Bidenit se ka “indikacione” që tregojnë se disa vende të Bashkimit Evropian po e përdorin Gjykatën Speciale kundër interesave të Kosovës dhe SHBA-së.

Ne natyrisht besojmë që të gjitha krimet duhet të zbardhen dhe të gjitha viktimat, pa marrë parasysh etninë, duhet të gjejnë drejtësi. Sidoqoftë, duket se Dhomat e Specializuara nuk janë duke kërkuar drejtësi por rishkrim të historisë. Për më tepër, ka indikacione që tregojnë se disa vende të BE-së janë duke përdoruar Gjykatën Speciale për të minuar interesat e Kosovës dhe SHBA-së”, thuhet në letër.

Shoqata e ka quajtur Gjykatën Speciale shoviniste e raciste ndërkohë që ka kërkuar nga krerët e ri shtetërorë të Kosovës që të bashkërendohen në këtë thirrje të çlirimtarëve shqiptaro-amerikanë./Gazeta Sinjali/