image Shqipëria bëhet gati për t'i pritur turistët, shteti ndan 100 milionë lekë shtesë për turizmin

Shqipëri

Shqipëria bëhet gati për t’i pritur turistët, shteti ndan 100 milionë lekë shtesë për turizmin

news image

Ndërkohë që po punon për një verë të sigurt, qeveria ka nisur punën për të promovuar Shqipërinë turistike “Covidfree” në sytë e të huajve, transmeton Gazeta Sinjali.

Me këtë synim ka ndarë veç 100 milionë lekë apo mëse 800 mijë euro, të cilat do të shkojnë për promovimin e vendit në tregjet ndërkombëtare të turizmit. Paratë do të merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

“Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në programin ‘Zhvillimi i turizmit’ i shtohet fondi prej njëqind milionë lekësh për përballimin e shpenzimeve për mbështetjen e turizmit shqiptar për promovimin në tregjet ndërkombëtare post Covid-19 dhe prezantimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës ‘Covid-free’”, thuhet në vendimin e qeverisë, shkruan panorama.al.

Vendimi, i marrë këtë të mërkurë, vjen në prag të sezonit turistik dhe afro një muaj pas vaksinimit të operatorëve turistikë dhe stafeve të hoteleve.

Vetëm pak ditë më parë vendi ynë doli nga zona e kuqe e Covid në hartën botërore, pas javëve të tëra stabilitet shifrash. Madje, sipas të dhënave të Bashkimit Europian, Shqipëria renditet e dyta në listën e shteteve që po e kalon më lehtë pandeminë aktualisht.

Kjo i dedikohet imunitetit natyror të një pjese të konsiderueshme të popullsisë që e ka kaluar Covid-19 si dhe procesit të vaksinimit që po ecën me ritme të shpejta.

Duke u nisur nga treguesit e përditshëm, edhe ekspertët shprehen besimplotë se vera e 2021-shit nuk do të jetë si ajo e vitit të shkuar. Masat kufizuese nuk do të mungojnë, por do të jenë më të lehta në krahasim me verën e parë pandemike.

“Nëse vazhdojmë që të kemi kujdesin ashtu siç rekomandojmë, besojmë se do të kemi një verë të këndshme, por për këtë duhet të respektojmë masat. Sot, me maska. Ndoshta më vonë nuk do t’i kemi”, deklaroi kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli.

Ditët e fundit janë shtuar zërat në radhët e bluzave të bardha, ekspertë të shëndetit publik, që mendojnë se ka ardhur koha për lirim të masave shtrënguese. Nëse kjo do të ndodhë në të vërtetë, do të mësohet vetëm javën që vjen. /Gazeta Sinjali/