image “Shpifës je vet”, edhe një përplasje tjetër mes pozitës e opozitës në komision parlamentar

Politikë

“Shpifës je vet”, edhe një përplasje tjetër mes pozitës e opozitës në komision parlamentar

news image

Hajdar Beqa i PDK-së dhe Halil Thaçi i VV-së, janë përplasur në Komisionin për Financat Publike.

Në atë komision po shqyrtohej raporti i auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës 2018-2020”.

Thaçi i ka thënë Beqës se po shpif në rastin e drejtorit financiar në KEK që është zgjedhë nga qeveria Kurti.

“Ti po shpif. Drejtori dhe kryetari i bordit munden mos me qenë në dijeni, por unë e di që drejtori i auditimit nuk është e vërtetë që është zgjedhë drejtor në qeverinë e tanishme”, i ka thënë Thaçi.

Më pas deputeti i PDK-së, Beqa i ka thënë atij se është shpifës dhe të mos flas kur flet ai.

“Shpifës je vet, mos fol kur flas unë. Zoti deputet mu më vjen mirë edhe gëzohna nëse ja qëllon najher e di që ki qef me ditë, por osht mirë edhe me lexu KEK-u ka qenë këtu edhe ka me qenë këtu kur s’jemi ne deputet. Është mirë ku folni për të kaluarën është mirë me fol me fakte dhe argumente. Të gjithë ata që kanë qenë në menaxhment në të kaluarën në KEK janë të ju sot”, replikoi Beqa.

Deputeti Beqa e ka vazhduar përplasjen me deputetin tjetër të VV-së, Eman Rrahmani, pasi Rrahmani tha se e dijnë të gjithë se çfarë pune ka bërë Beqa kur ka qenë krye-shef i ndërmarrjes Ibër Lepenci.

“Hajdari besoj njëherë ia ka tregu vendin qytetari, e ka lënë pa u bë deputet, herën tjetër subjektin e tij e ka zbritë kogja një përqindje përshkak të punëve të tyne. Ne nuk mundemi me marrë vota përshkak të premtimeve por për shkak të punës që e bëjmë. Të gjithë e dijmë edhe në ndërmarrjen ku ti ke qenë kryeshef [N.H Ibër Lepenc] situatën çka qenë, çka ke bo, qysh ke bo, kështu që nuk është mirë me hy të paktën ti sepse e dijmë edhe kush je edhe qysh ke punu”, i ka thënë Rrahmani deputetit të PDK-së.

Pasi e mori fjalën deputeti Beqa, i tha deputetit të VV-së, Rrahmani se i duhen edhe katër jetë për të kontribuar sa ka kontribuar ai.

“I nderuari deputet për kohën që kam menaxhu ndihem mirë dhe krenohem për atë punë, çdo vit kam rritur performancë. Nuk kom pasë shkelje ligjore, nuk kom pasë skandalet që i keni ju, ndërkaq me kontribu sa kom kontribu unë ty të duhen edhe nja 4 jetë me i pasë seriozisht e kom”, ka thënë Beqa.

/GazetaSinjali/