image Shpëtohen tre persona që rrezikonin të mbyteshin në Himare të Shqipërisë, një grua ende e zhdukur

Shqipëri

Shpëtohen tre persona që rrezikonin të mbyteshin në Himare të Shqipërisë, një grua ende e zhdukur

news image

Tre persona që rrezikonin të mbyteshin në plazhin e Gjipes të Shqipërisë janë shpëtuar nga Policia Kufitare dhe roja bregdetare.

Ata kishin dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, i cili u fundos.

“Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në Gjipe. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë. Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit R. R., F. R. dhe A. R., ndërsa shtetasja M. R. nuk është gjetur ende”, tha Policia.

Policia është në kërkim edhe të një gruaje që ishte në këtë mjet lundrues, e cila sipas mediave në Shqipëri, dyshohet se është mbytur.

“Vijojnë kërkimet intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare. Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën”, tha Policia.

Era e fortë dhe reshjet e shiut kanë krijuar një situatë të vështirë në qytetin e Himarës.

Pushuesit e shumtë kanë boshatisur plazhet, pasi era e fortë me shpejtësi deri në 80 kilometra në orë, shoqëruar me reshje, ka shkulur edhe çadrat e plazheve.

Siç duket edhe nga pamjet, edhe deti është mjaft i dallgëzuar. Kapitaneria e Vlorës ka njoftuar bllokimin e daljes në det të mjeteve të vogla lundruese.

Ndërkohë, reshjet e shiut kanë prekur thuajse të gjithë vijën bregdetare të vendit: Durrësin, Vlorën, Shëngjinin dhe Velipojën. Ndërkohë reshjet kanë prekur edhe zonën e Kukësit, ku kanë krijuar probleme kryesisht në qarkullimin e automjeteve. Situata me reshje ka ndihmuar veçanërisht zonat ku prej disa ditësh ishin aktive vatrat e zjarreve, duke i shuar ato./Gazeta Sinjali/