image Shoqata e Gastronomëve: Vendimi i qeverisë për mbyllje po na shpie drejt një kolapsi ekonomik

Sociale

Shoqata e Gastronomëve: Vendimi i qeverisë për mbyllje po na shpie drejt një kolapsi ekonomik

news image

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përmes një reagimi ka bërë thirrje që të dënohen individualisht bizneset që nuk respektojnë masat e jo i gjithë sektori.

Në reagimin e tyre ata kanë vlerësuar se masat e fundit të marra nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, e shpie këtë sektor drejt kolapsit ekonomik.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës është shkurtuar orari i punës në gastronomi deri në ora 21:00, ndërsa gjatë orarit lejohet vetëm puna në pjesën e hapur të lokalit dhe po ashtu duke u mbajtur distanca.

“Ne si Shoqatë, edhe pse kemi qenë vazhdimisht sektori më i goditur nga pandemia, kemi qenë dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim me institucionet përkatëse. Vendimi i fundit i marë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, jo vetëm që nuk ndikon në parandalimin e përhapjes së virusit, por edhe shkatërron komplet bizneset tona dhe na shpie drejt një kolapsi ekonomik”, thuhet në komunikatën e tyre.

Por, sipas tyre shkurtimi i orarit të punës deri në orën 21:00, ua pamundëson operimin e mëtutjeshëm dhe i çon drejt shpalljes së bankrotit.

“Njëkohësisht, nuk besojmë që ky është faktor kyç që do të ndihmonte zvogëlimin e numrit te infektuarve dhe si Shoqatë besojmë që vetëdijesimi i klientëve tonë, stafit, mbajtjes së maskave dhe respektimit te masave të tjera gjithmonē në bashkëpunim me institucionet përkatëse do të ishte zgjidhje më e mirë. Ne mbetemi të bindur që orari nuk është problemi dhe faktori kryesor por vetëdijesimi i popullatës për të mbrojtur veten dhe të tjerët duke respektuar masat e ISHPK-së”, thuhet në reagimin e tyre.

Po ashtu, ata kanë thënë se duhet vetëdijësuar popullatën dhe të mos goditen vetëm bizneset e caktuara, por ata që janë fajtorë. Pasi sipas tyre nuk ka fakte që gastronomia është vatra e koronavirusit.

“Për më tepër, nuk ka fakte dhe statistika të sakta qe vatra e virusit është Gastronomia dhe si shoqatë, ndjehemi të revoltuar nga shpifje të tilla, marrë parasysh se ne nuk veprojmë për të dëmtuar askënd kur edhe vet jemi të rrezikuar nga ky virus dhe kemi përgjegjësi ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë. Ju bëjmë thirrje që Institucionet kompetente ti gjobisin bizneset individualisht për shkelje të masave dhe rregullave, dhe jo të veprojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse”, është shkruar në komunikatë.

Ata kanë kërkuar nga institucionet për ndihmë shtesë, si riprogramim të kësteve të kredisë, lehtësira për çasje në financa, përkrahje për pagat dhe qiratë, së paku edhe për tre muaj, shtyrje të deklarimeve dhe pagesave të tatimeve, së paku edhe për tre muaj./Gazeta Sinjali/