image Shitblerja e drogës: Policia arreston në flagrancë dy persona në Vushtrri, kapen me 9 paketime me marihuanë

Siguri

Shitblerja e drogës: Policia arreston në flagrancë dy persona në Vushtrri, kapen me 9 paketime me marihuanë

news image

Foto ilustruese


Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në rrugën “Pandeli Sotiri” në Vushtrri, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur dy persona, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Sinjali mëson se dy të dyshuarit, njëri prej të cilëve i mitur, u kapën në flagrancë me nëntë qese me substancë narkotike, e llojit marihuanë, që Policia u gjeti pas kontrollit kur u ndalën në mes të rrugës.

Për shkak të posedimit të drogës, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar që ndaj tyre të nisin hetimet nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, substancave psikotropike dhe analoge”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

/GazetaSinjali/