image Sherr në lokalin ‘Indica’ në rrugën B: Dy të rinj denoncojnë se u sulmuan nga stafi, arrestohet një person

Siguri

Sherr në lokalin ‘Indica’ në rrugën B: Dy të rinj denoncojnë se u sulmuan nga stafi, arrestohet një person

news image

Lokalet e ndryshme jo vetëm në kryeqytet por edhe në vende të tjera shpesh shndërrohen në ring boksi. Nuk janë të rralla rastet kur përfshihen në përleshje fizike edhe me punëtoret në këto lokale. Kështu dyshohet se ka ndodhur edhe para dy netësh, në lokalin ‘Indica’ në rrugën B, në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është denoncuar në Polici nga dy të rinj, të moshës 19 dhe 24-vjeçare, të cilët kanë raportuar në Polici se janë sulmuar nga stafi i këtij lokali. Për pasojë, viktimat kanë marrë lëndime trupore, për çka janë detyruar të kërkojnë ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka dalë në vendin e  ngjarjes, në lokalin ku dyshohet se ndodhi përleshja. Dy të dyshuarit për në rast janë identifikuar, ndërkohë që njëri është kapur, e tjetri ndodhet në arrati.

Siç mëson Sinjali, Policia tashmë ka siguruar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë si provë që do të dëshmojë përfshirjen e të dyshuarve.  

Personi që tashmë ndodhet në duart e Policisë është shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

/GazetaSinjali/