image Serbia i quan "kërcënim për luftë" vendimet e Qeverisë Kurti për targat dhe letërnjoftime

Politikë

Serbia i quan “kërcënim për luftë” vendimet e Qeverisë Kurti për targat dhe letërnjoftime

news image

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë,  Petar Petkoviq, ka thënë se “është e pafalshme” nga bashkësia ndërkombëtare se si po hesht pas vendimeve të Qeverisë së Kosovës, që të vendosë reciprocitet për letërnjoftimet dhe që t’ua japë edhe një shans dymujor të gjithë atyre që kanë targa të Serbisë në emër të qyteteve të Kosovës, që t’i kthejnë ato në RKS.

Sipas Petkoviq, vendimet e Qeverisë Kurti janë “kërcënim për luftë”, duke iu referuar shtatorit, ku edhe mbaron afati për kthimin e tabelave në RKS.

“Është e papranueshme që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare heshtin, derisa Albin Kurti po përgatitet për fillimin e një konflikti të madh dhe sulm ndaj serbëve në fund të shtatorit. Me heshtjen e tyre ata po bëhen pjesë direkte e destabilizimit. Serbët nuk do të lejojnë këtë. Duhet ta dinë këtë edhe në Prishtinë edhe në Bruksel”.

Në bazë të vendimit të Qeverisë është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS.

Kabineti qeveritar po ashtu ka marrë vendim sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. 

/GazetaSinjali/