image Selektori serb sërish për atmosferën në “Air Albania”: Ishte ambient jug-amerikan, për herë të parë nuk e kam dëgjuar himnin

Futboll

Selektori serb sërish për atmosferën në “Air Albania”: Ishte ambient jug-amerikan, për herë të parë nuk e kam dëgjuar himnin

news image

Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka komentuar përsëri atmosferën gjatë ndeshjes Shqipëri – Serbi, që u zhvillua të shtunën në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Deklarata e tij e mëhershme, ku e quajti atmosferën “fantastike”, shkaktoi reagime të shumta në Serbi, duke e vënë në qendër të kritikave, shkruan Gazeta Sinjali.

Federata Serbe e Futbollit u detyrua të sqarojë publikisht fjalët e Stojkoviqit, ndërsa vetë trajneri është rikthyer sërish në këtë temë gjatë konferencës për media të mbajtur para përballjes me Andorrën.

“E kam pasur fjalën për ambientin futbollistik, vetëm për atë futbollistik. Flas me fjalor të futbollit dhe shfrytëzoj terminologji të futbollit. Ajo që ndodhi në terren ishte vetëm për respekt. Dy bankinat për gjithë respektin. Natyrisht se gjithnjë do të kundërshtoj gjërat jofutbollistike. Ne nuk mund të ndikojmë në ato. Ka instanca që merren me ato gjëra. Ata do të marrin dënim, por nuk do t’i dënojmë ne. Ishte ambient i vërtetë jug-amerikan. Nuk ishit atje, e keni parë përmes televizionit. Secili do të dëshironte atmosferë të tillë. Për herë të parë ka ndodhur që nuk e kam dëgjuar himnin. Imagjinoni atë shpërthim mospajtimi dhe fishkëllimash”, u shpreh Stojkoviq.

Ai theksoi se ekipi i tij e këndoi himnin me krenari dhe shtoi se nuk e sheh veten si figurë politike që do të duhej të reagonte ndaj sjelljeve të tifozëve.

“A mendoni vërtetë që do të na presin me duartrokitje. Sjellja e tyre është sjellje e tyre. Unë nuk jam politikan, nuk e përdori atë fjalor. Kujdesem shumë se çka flas. Kam komentuar ambientin në stadium. E sqaroj, që mos të kem nevojë që dikujt t’ia dëshmoi serbizimin tim. E dua Serbinë time dhe dua që ta bëj kampione. Ky është misioni im. Mikëpritja fenomenale, organizimi fenomenal. Asnjë problem. Besoj se do t’ua kthejmë njëjtë. Shikone derbin Boca – River dhe e keni të qartë për çka flas”, përfundoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/