image Rrezikohet rënia e qeverisë së Abazoviq, nesër dita vendimtare

Rajon

Rrezikohet rënia e qeverisë së Abazoviq, nesër dita vendimtare

news image

Zëvendëskryeministrja malazeze dhe ministrja e Çështjeve Evropiane Jovana Maroviq ka ofruar dorëheqjen nga qeveria e Abazoviq pasi ajo kundërshtoi kryeministrin për marrëveshjen themelore me Kishën Ortodokse Serbe e cila diskutohet të premten nga kabineti qeveritar.

Vetë Abazoviq pas konsultimeve me presidentin Gjukanoviq dhe partitë në koalicion tha se kushdo që dëshiron të rrëzojë qeverinë aktuale dëshiron ta distancojë Malin e Zi nga Bashkimi Evropian.

Abazoviq tha se kontrata me kishën serbe do të votohet të premten dhe se nuk do të mund të shantazhohej nga ekstremistë të caktuar si ministrat e Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme, Rasko Konjeviq dhe Ranko Krivokapiq nga Partia Socialdemokrate, të cilët kundërshtojnë përmbajtjen e marrëveshjes me kishën ortodokse.

Sipas draftit të marrëveshjes, shteti malazez i garanton Kishës Ortodokse Serbe se organet shtetërore nuk mund të marrin masa të sigurisë në objektet dhe hapësirat e saj, pa miratimin paraprak të organeve përgjegjëse të Kishës, përveç kur bëhet fjalë për mbrojtje urgjente të jetëve dhe shëndetit. Partitë dhe institucionet pro-malazeze e shohin një formulim të tillë si “kapje” të thesareve kulturore dhe historike të Malit të Zi.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq që mbështet me vota qeverinë aktuale ka dhënë vërejtjet e tij në lidhje me Marrëveshjen Themeltare dhe ka bërë thirrje që Abazoviq të mos ngutet me miratimin e saj.

/GazetaSinjali/