image Rizvanolli: Rezervat e energjisë do t’i kursejnë Kosovës minimum 15 milionë euro në vit

Financa

Rizvanolli: Rezervat e energjisë do t’i kursejnë Kosovës minimum 15 milionë euro në vit

news image

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një konference për media ka folur në lidhje me marrëveshjen që është nënshkruar me MCC-në.

Ajo tha se me këtë marrëveshje të dyja vendet partnere janë zotuar të përmirësojnë të tashmen dhe të ardhmen energjetike të Kosovës.

“Sektori i energjisë në Kosovë ka qenë në nevojë urgjente për investime për vite me radhë, Qeveria e Kosovës dhe MCC kanë identifikuar mungesën e furnizimit të besueshëm me energji elektrike si pengesë kryesore për zhvillim ekonomik të Kosovës. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje të dyja vendet partnere janë zotuar të përmirësojnë të tashmen dhe të ardhmen energjetike të Kosovës, duke stabilizuar furnizimin me energji elektrike dhe përshpejtuar tranzicionin e saj drejt karbonizimit të energjisë”.

“Diversifikimi i burimeve të energjisë dhe decentralizimi i rrjetit me prodhues kërkon që të kemi kapacitete për të menaxhuar me përfshirjen e burimeve të ripërtëritshme në rrjet, duke maksimizuar shfrytëzimin e secilit kapacitet që ndërtohet, ndërsa pavarësia energjetike nuk përfshin vetëm kapacitetet e reja të gjenerimit, por edhe stabilitet të rrjetit energjetik të pavarur”, u shpreh ajo.

Tutje, ajo u shpreh se projekti i parë në këtë program është blerja dhe instalimi i baterive me kapacitet të lartë.

“Projekti i parë në këtë program konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, këto bateri shërbejnë si rezerva të energjisë, të cilat do të përdoren për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës, si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe të konsumit”, u shpreh ajo.

Ajo u shpreh se rezervat e energjisë do t’i kursejnë Kosovës minimum 15 milionë euro në vit.

“Përdorimi i baterisë do të ndikojë në një masë në uljen e importit të shtrenjtë. Një kalkulim preliminar i MCC-së është që rezervat e energjisë do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit, kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e madhe kur rriten çmimet e energjisë, siç po ndodhë këto ditë”, ka thënë ajo.

/GazetaSinjali/