image Reagimi i avokatit të Thaçit pas aplikimeve të 19 personave që u paraqitën si viktima të ish-krerëve të UÇK-së

Drejtësi

Reagimi i avokatit të Thaçit pas aplikimeve të 19 personave që u paraqitën si viktima të ish-krerëve të UÇK-së

news image

Në Gjykatën Speciale në Hagë 19 persona janë paraqitur si viktima direkte dhe indirekte në rastin e aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave në kuadër të Gjykatës Speciale ka rekomanduar që nga këta 19 persona ku ka shqiptarë e serbë, 18 prej tyre të procedohen tutje dhe aplikacionet e tyre të pranohen, ndërsa njërit t’i refuzohet aplikacioni.

David Hooper, avokat i Hashim Thaçit, për këtë çështje ka paraqitur në Speciale një parashtresë me 13 faqe material, ku e ka kritikuar Zyrën e Pjesëmarrjes së Viktimave.

Sipas Hooper, është krejtësisht e paarsyeshme që një të akuzuari në aktakuzë t’i m’vishen edhe krime të pretenduara për të cilat ai nuk fajësohet apo akuzohet. Kësisoj, avokati Hooper ka kërkuar që të pranohen vetëm aplikacionet e viktimave, të cilët paraqesin prova se kanë pësuar dëm direkt dhe jo indirekt gjatë periudhës së aktakuzës.

Hooper po ashtu e akuzon këtë zyrë se nuk ka treguar vendin ku kanë ndodhur krimet e pretenduara nga aplikuesit.

“Mbrojtja vëren se ZPV nuk ka zbuluar, në raportin e saj, vendndodhjen e krimeve të pretenduara të përmendura nga ankuesit. Për aplikantët Viktima-01/06, Viktima 02/06, Viktima-03/06, Viktima 04/06 dhe Viktima-05/06, ZPV i referohet vetëm një vendi të paraburgimit i shënuar në Aktakuzën e Konfirmuar, brenda periudhës së akuzës ”. Në lidhje me Viktimën-07/06, ZPV vëren se kërkuesi pretendon disa krime “Në një vend të panjohur në Kosovë brenda periudhës së akuzës.” Per aplikantët e mbetur, ZPV thjesht tregon se ata pretendojnë ngjarje “në territorin e Kosovës ”brenda periudhës së akuzës,  duke përfshirë një zonë prej 10 mijë e 887 metrash katror”, thuhet në parashtresë.

/GazetaSinjali/