image Rasti ‘Telekomi’ – Gazmend Hyseni kishte lëshuar fatura fiktive në emër të disa kompanive, i ishin premtuar 30 mijë euro për këtë

Ekskluzive

Rasti ‘Telekomi’ – Gazmend Hyseni kishte lëshuar fatura fiktive në emër të disa kompanive, i ishin premtuar 30 mijë euro për këtë

news image

Në vazhdën e hetimit për keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës lidhur me përvetësimin e telefonave mobilë në vlerë prej 400 mijë eurosh, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar Afrim Pupovcin, pronar i kompanisë “K.KOPEX SH.P.K”, me bazë në Pejë. Më vonë, ishin arrestuar edhe Fatbardh Ajvazi, menaxher i kompanisë Zone Mobile L.L.C dhe Gazmend Hyseni, pronari i biznesit Versacop SH.P.K, si të dyshuar për veprat penale: Shmangia nga tatimi, keqpërdorimi, mashtrimi në prokurim publik dhe dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin, shkruan Gazeta Sinjali.

Siç kishte raportuar fillimisht Sinjali, dyshohej se kompania “K.KOPEX SH.P.K” në pronësi të Afrim Pupovcit, i kishte lëshuar fatura fiktive biznesit “Zone Mobile”,  që ishte kontraktor i Ndërmarrjes Publike “Telekomi” për furnizim me telefona mobilë, kontratë që parashihte shitjen e telefonave mobilë në vlerë prej më shumë se 400 mijë euro.

Megjithatë, prokurori i cili fillimisht kishte propozuar kërkesë për paraburgim për Pupovcin, është tërhequr dhe e ka liruar atë. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Asdren Bytyqi, avokat i Pupovcit.

“Prokurori fillimisht ka propozu njëherë kërkesë për paraburgim. Është mendu që ky i ka falsifiku faturat në vlerë diku 150-200 mijë euro. Megjithatë, pasi që njëri prej të arrestuarve e ka pranuar fajin, ai është liruar”, ka deklaruar Bytyqi.

Siç mëson Sinjali, prokuroria ka vendosur që në ATK të bëhet një ekspertizë grafologjike, të merren shenjat e gishtave, të krahasohen faturat dhe nëse vërtetohet edhe aty që Pupovci nuk ka të bëjë me këtë rast, ai të mos jetë fare pjesë e procesit.

Burimet e Gazetës Sinjali mësojnë se fajin për falsifikim të nënshkrimeve e vulave e ka pranuar Gazmend Hyseni, pronari i biznesit Versacop SH.P.K, i arrestuar ditën e djeshme.

Burime të Gazetës Sinjali mësojnë se Hyseni para prokurorisë, ka thënë se atij i janë premtuar 30 mijë euro nga një kompani për t’i lëshuar faturat false, të cilat e kanë dëmtuar Telekomin qindra mijëra euro. Ajo kompani siç mëson Sinjali, është Zone Mobile L.L.C në pronësi të Fatbardh Ajvazajt.

Siç mëson Sinjali, Hyseni ka vendosur të deklarohet para organeve të rendit, ndër të tjerash, edhe pasi që atij nga 30 mijë euro të premtuara i janë dhënë vetëm tre mijë e 500 euro.

Madje, burimet bëjnë tutje me dije se Hyseni nuk ka lëshuar fatura fiktive vetëm në emër të kompanisë “K. KOPEX SH.P.K” në pronësi të Afrim Pupovcit. Ai mësohet se ka falsifikuar vula dhe nënshkrime edhe të kompanive të tjera, me qëllim të përfitimit financiar për vete dhe në shërbim të kompanisë Zone Mobile L.L.C në pronësi të Fatbardh Ajvazi.

Por çfarë ndodhi para se të krijoheshin këto dokumente fiktive – Si u lidhën kontrata për “furnizimin me telefona mobilë”

I dyshuari Fatbardh Ajvazi në cilësinë e menaxherit në kompaninë Zone Mobile L.L.C, ka lidhur dy kontrata me Telekomin e Kosovës për furnizimin me telefona mobilë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se njëra kontratë është lidhur më 16 janar 2019, në vlerë prej 229 mijë e 715 euro dhe kontrata tjera është lidhur më 21 gusht 2019 në vlerë prej 207.733.

Ajvazi duke vepruar në bashkëpunim edhe me dy zyrtarë të Telekomit, Trim Musliun dhe Armend Osajn, të cilët u arrestuan më 30 mars 2021, dyshohet se nuk ka bërë fare furnizimin e Telekomit të Kosovës me telefona mobilë, sipas kontratës.

Krejt çka ai dhe zyrtarët e Telekomit kanë bërë është krijimi i dokumentacionit fiktiv për këtë furnizim, me qëllim të arkëtimit të pagesave sipas vlerës së kontratave. Kështu Telekomi i Kosovës është dëmtuar në vlerë prej 437.488 euro për telefonat që dyshohet se nuk janë pranuar fare nga ky insititucion. 

Por kjo nuk është e tëra. Sinjali mëson se Fatbardh Ajvazi në deklarimet tatimore të ATK-së nuk e ka paraqitur shumën e pagesës së pranuar nga Telekomi i Kosovës dhe nuk posedon asnjë dëshmi të importit apo blerjeve të brendshme për telefonat qe gjoja e ka furnizuar Telekomin.

Krijimi i dokumentacionit fiktiv

Fatbardh Ajvazi duke vepruar në bashkëpunim me Gazmend Hysenin,  pas fillimit të hetimeve, me qëllim që të mbulojnë veprimet e tyre kanë krijuar dokumentacion fiktiv gjoja për shitblerjen e telefonave ndërmjet kompanisë Versacop SH.P.K dhe ZONE Mobile L.L.C. Ky dokumentacion u krijua në muajin prill 2021 për blerjet e pretenduara të vitit 2019.

Në bazë të dyshimit të bazuar, Fatbardh Ajvazaj dhe Gazemnd Hyseni janë ndaluar dje për 48 orë, me vendim të prokurorit.

Por përveç tyre, burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë thonë se e dyshuar është edhe Donika Bajrami, bashkëshortja e Fatbardh Ajvazit, e cila në cilësinë e bashkëpronares në Zone Mobile L.L.C pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/Gazeta Sinjali/