image Rama, Vuçiq dhe Kovaçevski takohen nesër në Itali në kuadër të “Ballkanit të Hapur”

Rajon

Rama, Vuçiq dhe Kovaçevski takohen nesër në Itali në kuadër të “Ballkanit të Hapur”

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga nesër do të zhvillojë një vizitë dyditore në Itali, gjatë së cilës do të takohet me ministrin e Jashtëm të atij vendi, Antonio Tajani, si dhe me kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama.

Siç njoftoi Presidenca e Serbisë, Vuçiq do të takohet me kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Ata do të vizitojnë Panairin Ndërkombëtar të Verës VINITALY 2023 në Verona dhe së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë do të vizitojnë një stendë të përbashkët ku prodhues nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të ekspozojnë verërat.

Kujtojmë se në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

/GazetaSinjali/