image Qeveria shkel vendimet e veta, turneu "Lah Nimani" mund të zhvillohej

Sporte Luftarake

Qeveria shkel vendimet e veta, turneu “Lah Nimani” mund të zhvillohej

news image

Federata e Boksit të Kosovës u detyrua të anulonte turneun ndërkombëtar “Lah Nimani”, i cili ishte paraparë të mbahej me 19-20 shtator në Prishtinë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ishte në gjendje t’ua garantonte lejen, duke hedhur përgjegjësinë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.

Megjithatë, bazuar në vendimet e Qeverisë së Kosovës të datës 28 korrik për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, në nenin 9 thuhet se lejohen vetëm fitneset, pishinat e mbyllura dhe sportet individuale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19. 

I kontaktuar nga Sinjali Sportiv, zëdhënësi i FboxK, Latif Demolli u shpreh se ky event është dashur të lejohet sipas nenit 9, por qeveria po bie në kundërshtim me veten.

“Ne jemi sport individual dhe sipas nenit (pikës) 09 të qeverisë neve na lejohet, por këta po bien në kundërshtim me vetveten dhe nuk po dinë çka po folin e çfarë vendime po marrin” – theksoi Demolli.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë vazhdimisht me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të marrë një konfirmim zyrtar, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjëherë përgjigje.

Në anën tjetër, ndeshjet miqësore në futboll po “vlojnë” në Kosovë, edhe pse bazuar në vendimet e Qeverisë së Kosovës ato nuk lejohen. /Sinjali Sportiv/