image Qeveria i kërkon kompanisë Apple që ta futë Kosovën në AppleMaps

Teknologji

Qeveria i kërkon kompanisë Apple që ta futë Kosovën në AppleMaps

news image

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, me një letër i është drejtuar drejtorit ekzekutiv të kompanisë Apple, Tim Cook, ku zyrtarisht i kërkon që Kosova të jetë në hartën e kësaj kompanie.

Haradinaj-Stublla me një letër të tillë i është drejtuar “Apple” më 23 korrik, ku ka kërkuar ndërmarrjen e shpejtë të hapave për të “prezantuar me korrektësi Kosovën me kufijtë e pranuar ndërkombëtarisht në shërbimin e AppleMaps”.

Ajo ka shkruar se në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nga një opinion këshilldhënës ka nxjerrë përfundimin se pavarësia e Kosovës nuk kishte shkelur asnjë ligj ndërkombëtar.

“Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në një opinion këshillëdhënës erdhi në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk kishte shkelur ligjin ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj-Stublla, duke kujtuar edhe faktin se platforma si Linkedln, Twitter, Facebook dhe Spotify kanë përditësuar platformat e tyre duke prezantuar Republikën e Kosovës si një vend të pavarur.

Pak ditë më parë këtë debat e ka nxitur këngëtarja e njohur kosovare, Dua Lipa, e cila ngjalli shumë reagime. Dua Lipa i kërkoi “Apple”, përmes rrjetit të saj social “Instagram” që ta vendosë Kosovën në hartën e tyre.

Ajo ka publikuar një fotografi të hartës së “Shqipërisë së Madhe” me mbishkrimin “autochthonous“ (autokton).

Aktualisht, kufijtë e Kosovës në hartën e kësaj kompanie janë vizatuar me ngjyrë të kuqe të zbehtë, ndryshe nga vendet e tjera që ndahen me një ngjyrë të ndritshme dhe një linjë e trashë. / Gazeta Sinjali/