Në programin qeverisës në Qeveria Hoti parashihet privatizimi i pjesshëm i Telekomit. Në pikën 5.7 të programit qeverisës të qeverisë së re është theksuar edhe privatizimi apo shitja e aksioneve të ndërmarrjes publike.
Sipas kësaj pike, para privatizimit parashihet që të sanohen gjendja në Telekomin e Kosovës.
“Në Telekomin e Kosovës duhet të konsiderohet privatizimi i pjesshëm me një strategji të qartë pas sanimit të gjendjes aktuale, por para privatizimit duhet të sanohen gjendja e rendë dhe përmirësohet performanca në mënyrë që të rritet atraktiviteti për investitorë strategjik dhe me renome në fushën e telekomunikacionit”, thuhet në pikën për Telekomin në programin e Qeverisë Hoti të miratuar sot.
Sipas planit qeverisë së Qeverisë Hoti, shitja e aksioneve të kësaj ndërrmarrje publike do të ndodh vetëm kur shitja e aksioneve si proces do të maksimizonte vlerën e ndërmarrjes dhe përfitimeve tjera që ndërlidhen me procesin.
“Privatizimi/shitja e aksioneve në ndërmarrje publike do të ndodhë vetëm në momentet kur privatizimi/shitja e aksioneve si proces do të maksimizonte vlerën e ndërmarrjes dhe përfitimeve tjera që ndërlidhen me procesin. Për të gjallëruar operimet në disa ndërmarrje publike, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, asetet apo pjesë të aseteve të disa ndërmarrjeve publike do të shiten apo do të privatizohen përmjet Ligjit për Investimeve Strategjike”, shkruhet në pikat tjera të kësaj pjese të programit. /Gazeta Sinjali/