image Qeni i tërbuar ngjitet në banesë dhe i sulmon, familja nga Suhareka e mbyt me thikë

Siguri

Qeni i tërbuar ngjitet në banesë dhe i sulmon, familja nga Suhareka e mbyt me thikë

news image

Katër anëtarë të një familje në Suharekë, janë sulmuar sot në mesditë në hyrje të banesës nga një qen i tërbuar.

Pas sulmit, ata e kanë mbytur qenin me një thikë shtëpie. Detaje se si ka ndodhur rasti ka dhënë një prej të lënduarve dhe Policia e Prizrenit.

Shkallët e objektit banesor në rrugën “Brigada 123”, në Suharekë, mesditën e sotme janë mbuluar nga gjaku. Në katin e katërt të këtij objekti, katër anëtarë të një familje janë sulmuar nga një qen i tërbuar.

Nga lëndimet që kanë marrë, të katërtit janë detyruar që të marrin edhe trajtim mjekësor.

Një prej të lënduarve është edhe Besart Gegaj, i cili ka rrëfyer se si ka ndodhur i gjithë rasti.

Sipas tij, qeni ishte ngjitur në katin e katërt të objektit dhe e kishte sulmuar vëllanë e tij. Më pas kanë ndërhyrë edhe familjarët e tjerë.

Qeni ka ardh në katin e katërt të banesës dhe e ka sulmu vëllanë. Edhe kemi qenë katër anëtarë të familjes që kemi ndërhy për mos me u rreziku vëllau, por që na ka sulmu edhe neve”, tregon Gegaj.

Lëndimet që ka marrë një nga të sulmuarit

Gegaj thotë se për të mos i rrezikuar edhe banorët e tjerë janë detyruar që ta mbysin qenin me një thikë shtëpie.

“5-6 veta e kena kap qenin dhe e kemi ngreh deri në oborr dhe e kemi mbyt meqenëse dojke hala me na hangër”, ka treguar ai.

Ai thotë se kishin kërkuar që para dy javësh nga Policia që ta largonin qenin nga oborri i objektit banesor, meqenëse ndiheshin të rrezikuar, por se nuk kanë marrë përgjigje pozitive për këtë kërkësë.

“Banorët e kanë lajmëruar rastin në polici para dy javësh , po kanë thënë që nuk kemi drejt me vra. Ata kanë kërkuar që qeni të largohet prej oborrit të banesave ku ka banorë”, ka deklaruar Gegaj për express.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Rreth ores 11:25 min., në rrugën “Brigada 123″, një qen i tërbuar kishte sulmuar një qytetar në hyrje të banesës, për pasoje qytetari kishte pësuar lëndime dhe si ndihmë kishin intervenuar edhe tre qytetarë tjerë të cilët gjithashtu kanë kërkuar ndihmë si pasojë e lëndimit nga qeni endacak i tërbuar”, ka thënë Osmanollaj.

Osmanollaj ka deklaruar se për rastin janë njoftuar edhe inspektorët komunalë në Suharekë, të cilët e kanë tërhequr qenin.

“Ne lidhje me këtë qytetaret kanë arritur ta godasin qenin i cili ka ngordhur. Janë njoftuar Inspektorët Komunal në Suharekë të cilët e kanë tërhequr qenin. Në lidhje me këtë rast është njoftuar prokurori kujdestar i Shtetit i cili ka rekomanduar që ky rast të procedohet me raport policor të rregullt”, ka deklaruar ai.

/GazetaSinjali/