image “Pse s’ke nejtë te çika, dil prej shpisë”/ Vjehrra e denoncon renë për dhunë, nusja: Jetojmë 10 anëtarë në banesë, kam tentu me mbytë veten - Sinjali

“Pse s’ke nejtë te çika, dil prej shpisë”/ Vjehrra e denoncon renë për dhunë, nusja: Jetojmë 10 anëtarë në banesë, kam tentu me mbytë veten

news image

Çdo ditë në vendin tonë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje, ku viktima janë zakonisht gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga familjarët e tyre. Por nuk janë të rralla edhe rastet kur nga dhuna pësojnë edhe vjehrrat të cilat kanë probleme me nuse, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar dje në rrugën ‘Isa Kastrati’ në Prishtinë, ku një e moshuar ka denoncuar nusen e djalit në Polici, duke e akuzuar për dhunë. Ajo ka deklaruar se para një jave reja e saj e ka sulmuar fizikisht, ndërsa dje kur ishte kthyer nga vajza e saj, 47-vjeçarja e ka pritur vjehrrën me fjalë ofenduese e duke i kërkuar të dalë nga banesa.

Ajo i ishte drejtuar 82-vjeçares me fjalët “pse je kthy në banesë, pse s’ke nejtë te çika, dil prej shpisë”, për çka është arsyetuar gjatë deklaratës së saj para hetuesve duke thënë se nuk mundet më të kujdeset për të moshuarën.

47-vjeçarja ka thënë se ajo është nënë e 6 fëmijëve dhe në banesë jetojnë 10 persona si dhe ka deklaruar se ka probleme shëndetësore qe shumë vite. Ajo ka thënë se gjatë jetës në bashkësi, është përballur me dhunë psikike, për çka edhe ka tentuar ta mbys veten duke konsumuar mjete higjienike.

Pas përfundimit të procedurave policore, 82-vjeçarja është dërguar në strehimore, pasi që ajo nuk ndihet e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën me nusen e djalit të saj.

Ndërsa 47-vjeçarja do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin