image Provokojnë sërish serbët, përurojnë sheshin me flamur gjigant serb

Politikë

Provokojnë sërish serbët, përurojnë sheshin me flamur gjigant serb

news image

Serbët e veriut të Kosovës sërish kanë provokuar duke përuruar sot krejt afër urës kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë, sheshin “Vëllezërit Miliq”, të cilët humbën jetën gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë.

Në këtë shesh përveç përmendores së ndërtuar, serbët kanë vendosur edhe flamurin e Serbisë me dimension gjigant, i cili tash e tutje do të qëndrojë në këtë vend, e që qytetarët shqiptarë nga jugu po e shohin si provokim.

Zëvendësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Borisllav Tajiq, duke e quajtur aksionin e NATO-s si të keqe të paskrupullt, ka pranuar humbjen e Kosovës nga Serbia.

Ndërkaq, Aleksandar Spiriq, kryetari i komunës paralele në veri të Mitrovicës, ka porositur se deri sa të ekzistojë edhe vetëm një serb në Mitrovicë, heronjtë e tyre do të kujtohen.

“Nga ky shesh porosis se derisa edhe vetëm një serb ndodhet në Mitrovicë, do të jetojnë heronjtë tanë”, theksoi Spiriq.

Ndryshe, në këtë ceremoni përveç qytetarëve, morën pjesë edhe përfaqësues të shtetit të Serbisë, deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës, ministri Goran Rakiq, kryetarë të komunave veriore, si dhe përfaqësues të institucioneve paralele në veri.

/GazetaSinjali/