image Prodhuesit kosovarë në panairin më të madh të ushqimeve në botë

Prodhime Vendore

Prodhuesit kosovarë në panairin më të madh të ushqimeve në botë

news image

Në Panairin ushqimor, më të madhin në botë SIAL 2022, që është duke u mbajtur në Paris, prodhuesit kosovarë kanë ekspozuar produktet e tyre.

Ambasadori i Kosovës në Francë Mehdi Halimi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, iu bëri vizitë prodhuesve kosovarë në panairin e Parisit.

Ishin më shumë se dhjetë firma kosovare që merrnin pjesë në panair, shumica e tyre të mbështetura nga KIESA, por edhe aso që merrnin pjesë në mënyrë të pavarur.

“Ishte kënaqësi e veçantë, por edhe krenari t’i shohësh afaristët kosovarë, burra e gra, duke marrë pjesë në këtë panair, t’i shohësh produktet kosovare të ekspozuara në hapësirën ku mbi 7000 prodhuesë nga të gjitha anët e botës ekspozojnë produktet e tyre”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Paris.

Në njoftim thuhet se mirësjellja, mirëpritja dhe prezantimi i prodhuesve kosovarë, por edhe produktet e tyre cilësore dhe të veçanta, të ekspozuara me shije e me dinjitet, na mbushën me shpresë se ekonomia kosovare po i lëshon në mënyrë të sigurtë spirancat e veta në tregun e madh evropian dhe botëror.

“Bisedat e drejtëpërdrejta me ata, na bënë me dije se nevojitet një komunikim dhe koordinim më i mirë ndërmjet veti, por edhe me shtetin e Kosovës, në mënyrë që shpirti ndërmarrës i afaristëve të Kosovës të bëjë mrekullinë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Paris.

/GazetaSinjali/