image Prindër kujdes me qasjen e fëmijëve në internet, ja pasojat!

Lojëra

Dhuna/ Prindër kujdes me qasjen e fëmijëve në internet, ja pasojat!

news image

Rreth 97 për qind e fëmijëve në Kosovë e përdorin internetin, sipas të gjeturave nga raportet e Qendrës për Studime të Avancuara FIT.

Sipas hulumtimit, pothuajse të gjithë fëmijët e moshës 13 vjeç e më shumë kanë deklaruar se e përdorin internetin. Nga 589 të intervistuar të kësaj moshe, vetëm njëri prej  fëmijëve ka deklaruar se nuk e përdor internetin.

Por, më shqetësues se numri i përdoruesve, po konsiderohen rreziqet me të cilat një pjesë e fëmijëve përballen në internet. Dhuna nga interneti qasja në përmbajtje të papërshtatshme e takimi me të panjohur, janë vetëm disa prej rreziqeve që iu kanosen fëmijëve nëse nuk monitorohen gjatë kohës që kalojnë në internet.

Anil Gashi, menaxher i projekteve në FIT, ka dhënë për gazetën Sinjali se megjithëse është dukuri shqetësuese, pornografia nuk është problemi kryesor me të cilin përballen fëmijët në internet.

“Brenga kryesore ende është sajbërdhuna, apo dhuna që vjen përmes internetit”, ka thënë Gashi.

Siç e përkufizon Qendra për Studime të Avancuara, në raportin e vitit 2016, “Siguria e fëmijëve në internet”, sajbërdhuna është përdorimi i qëllimshëm dhe i përsëritur i mjeteve elektronike (si psh. internetit apo telefonit mobil) për të ngacmuar, kërcënuar, poshtëruar, turpëruar një apo më shumë persona.”

Edhe fëmijët në Kosovë kanë rënë pre e kësaj dukurie. Sipas të gjeturave të FIT, rreth 22% e fëmijëve kanë deklaruar se kanë qenë shumë të shqetësuar kur ndaj tyre është ushtruar dhunë nga interneti. Rreth 32% prej tyre janë femra, kurse 14% janë meshkuj. Ky numër ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2014, kur këto përqindje ishin respektivisht 43% dhe 29%”.

Sipas raportit të FIT, efektet e dhunës në internet mund të jenë afatgjata dhe t’i përcjellin fëmijët gjatë gjithë jetës. Njëra nga arsyet pse ky fenomen mund të lëndojë fëmijët më shumë se dhuna fizike, është se vjen prej audiencës së madhe që ajo mund të arrijë për një kohë mjaft të shkurtë. Reagimet më të shpeshta nga fëmijët, që janë prekur nga sajbërdhuna, janë: zemërimi, frika, hidhërimi, shqetësimi dhe të ndjerit i/e lënduar.

Përpos sajbërdhunës, të shpeshtë janë bërë edhe përdoruesit (fëmijë) të video lojërave. E këto të fundit shpesh kanë përmbajtje që nxisin dhunë, e si rrjedhojë ndikojnë negativisht te fëmijët.

Psikologia Azize Daku, në një përgjigje për Sinjalin, ka përmendur  disa efekte negative që mund të kenë fëmijët nga përdorimi i video-lojërave. Duke u bazuar edhe në rastet që i ka trajtuar vetë ajo, thotë se  fëmijët që kanë luajtur video lojëra me karakter dhune, kanë shfaqur sjellje asociale dhe i ka ndikuar në marrëdhëniet në familje.

 “Kjo ka ndikuar që fëmija të shkojë me rezultate të ulëta në mësime po ashtu”, ka treguar Daku.

“Sipas Asociacionit Amerikan të Psikologëve, janë tri efekte të mëdha që vinë nga shikimi i programeve të dhunshme në media (shembull video lojërat/televizori).
Fëmijët mund të bëhen më pak të ndjeshëm ndaj dhunës dhe vuajtjes nga të tjerët, ata mund të kenë më shumë frikë nga bota përreth tyre, dhe po ashtu mund të kenë mundësinë të sillen në mënyrë agresive ose të lëndojnë të tjerët (Tompkins, 2013)”, ka shtuar Daku e cila ka rekomanduar që fëmijët e prekur nga këto dukuri, të marrin trajtim edhe te psikologu.

Sinjali ka kontaktuar edhe me disa prindër, fëmijët e të cilëve kanë qenë viktimë e këtyre dukurive. Në kushte anonimiteti, ata kanë thënë se nuk kanë ditur si t’u qasen këtyre problemeve.

Si të mbrohen fëmijët nga dhuna dhe rreziqet e tjera në internet?

Duke marrë parasysh që kjo dukuri mund t’i prekë fëmijët përmes rrjeteve sociale, së fundmi, FIT ka hartuar një udhëzues për fëmijët që përdorin këto rrjete. Dokumenti në fjalë përmban udhëzime kryesisht rreth sigurisë dhe privatësisë në aplikacionet Facebook, Instagram dhe Snapchat.

Në mungesë të fondeve, FIT nuk ka mundur të realizojë një hulumtim më të hollësishëm për vitin 2016, megjithatë ata po vazhdojnë të mbajnë aktivitete të ndryshme me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve nga rreziqet që mund t’i kanosen në internet.

Po ashtu, në vitin 2017, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka hartuar pakon “Udhëtimi nëpër internet”, me qëllim që të udhëzojë fëmijët se si ta përdorin në internetin në mënyrë të sigurtë.

Pakoja përmban katër udhëzues:  për nxënës të klasave 3-5, nxënës të klasave 6-9, për mësues dhe për prindër dhe jep udhëzime, ilustrime e këshilla për siguri në internet./Sinjali/