image Price: Bisedimet aktuale në Bruksel të hapin rrugën e zgjidhjes finale

Evropë

Price: Bisedimet aktuale në Bruksel të hapin rrugën e zgjidhjes finale

news image

Një porosi nga Shtëpia e Bardhë është dërguar të enjten në Bruksel.

Në kohën kur po zhvilloheshin bisedimet mes krerëve të Kosovës e Serbisë, burimet diplomatike tregojnë se ambasadori amerikan pranë BE-së, Mark Gitenstein u përcolli ndërmjetësuesve evropian një mesazh nga Uashingtoni.

Në departamentin e shtetit nuk folën enkas për këtë rast por treguan se jo vetëm ambasadori në fjalë por edhe krye-diplomati amerikan janë angazhuar për gjetjen e pajtimit Kosovë-Serbi.

“Ju siguroj që ky proces ka vëmendje të nivelit të lartë , ambasadori jonë në BE, Gitenstein është një nga zyrtarët që janë duke parë nga afër. Por ka edhe zyrtarë tjerë të lartë këtu në Uashington që po e bëjnë të njëjtën. Kjo është një çështje që sekretari Anthony Blinken personalisht i ka kushtuar vëmendje e kohë mjaft shumë. Ky është një prioritet për përfaqësuesit tanë në terren dhe këtu në shtëpi”, tha Ned Price, zëdhënës në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Price, po ashtu sqaroi se vazhdimi i dialogut me qëllimet e tij duhet të vazhdojë e të marrë hov tjetër drejt finales.

“Besojmë që të dy palët duhet të i shfrytëzojnë këto bisedime në mënyrë efektive për të përparuar në normalizimin marrëdhënieve mes tyre të përqendruara në premisën e njohjes së ndërsjellë. Ne do të donim që të shohim përparim në zbatimin e ujdive të arritura në dialog”.

Për tre ditë në Bruksel, po qëndron emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka zhvilluar takime të shumta me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin si dhe me partnerët evropian.

Nga DASH, thanë se Escobar qe “vëzhgues e jo pjesëmarrës i bisedimeve”që u bënë të enjten  për të gjetur zgjidhje për reciprocitetin me dokumente e targat e automjeteve mes dy shteteve.

/GazetaSinjali/