image Presidentja nuk e dekreton Isufajn për kryeprokuror, pa përfundimin e procedurave gjyqësore

Politikë

Presidentja nuk e dekreton Isufajn për kryeprokuror, pa përfundimin e procedurave gjyqësore

news image


Janë bërë rreth gjashtë muaj kur Blerim Isufaj është zgjedhur Kryeprokuror i Shtetit nga Këshilli Prokurorial, por dosja e tij po pret  dekretimin nga ana e Presidentës Osmani.

Presidentja nuk  po e dekreton Isufajn për kryeprokuror, si shkak i pritjeve të mbarimit të procedurave gjyqësore.

Ky proces ndodhi pas përfundimit të mandatit të ish kryeprokurorit Aleksandër Lumezit me 21 prill të këtij viti.

Këshilli Prokurorial po atë ditë ka caktuar prokurorin Besim Kelmendin, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit e i cili këtë detyrë po e ushtron tash rreth gjysmë viti.

Kundër procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial ishte ankuar kandidati Shqipdon Fazliu në Gjykatën Themelore të Prishtinës e cila e pati shpallur të pasafatshme ankesën e tij, derisa ankesa kishte shkuar edhe në Gjykatën e Apelit e e cila ka refuzuar si të pabazuar.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë takimit me u.d të kryeprokurorit Besim Kelmendin dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial Jetish Malokun ka folur edhe për çështjen e emërimit të kryeprokurorit.

“Në takim u diskutuan edhe zhvillimet aktuale rreth procesit të nominimit dhe emërimit të Kryeprokurorit të shtetit”, thuhet në njoftimin  e Precidencës.

Presidentja ritheksoi qëndrimin e saj se do të pritet deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit në sistemin tonë të drejtësisë, para se Presidentja të marrë vendimin e saj për propozimin e KPK-së.

Një qasje e këtillë, theksoi Presidentja, është e domosdoshme për ta ruajtur sigurinë juridike dhe për ta siguruar shfrytëzimin e papenguar dhe efektiv të mjeteve juridike nga kundër kandidatët, si dhe për ta garantuar besimin qytetar në proces pas vërejtjeve nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë. 

/GazetaSinjali/