image Policja që shtiu drejt afro-amerikanit Wright paditet për vrasje të shkallës së dytë

Botë

Policja që shtiu drejt afro-amerikanit Wright paditet për vrasje të shkallës së dytë

news image

Një prokuror në Minnesota ka bërë të ditur të mërkurën se do të ngrejë padi për vrasje të shkallës së dytë ndaj ish-zyrtares së bardhë të shërbimit policor në Minneapolis, lidhur me të shtënën fatale ndaj ngasësit 20-vjeçar afro-amerikan, Daunte Wright, në rastin që ka nxitur trazira disaditore dhe përleshje midis policisë dhe protestuesve.

Ish-zyrtarja e policisë në Brooklyn Center, Kim Potter, do të paditet për vrasje, tri ditë pasi që Wright ka humbur jetën gjatë një ndalimi rutinor trafiku, ka thënë prokurori i Washington Countyt, Pete Orput.

Padia parasheh dënimin maksimal me 10 vjet burgim.

Një avokat i Potterit nuk u është përgjigjur kërkesave të “Associated Press” për ta komentuar rastin. Ish-shefi i policisë ka thënë se Potteri, një police veterane me karrierë 26-vjeçare në shërbim, kishte synuar që të përdorte armën me elektroshok ndaj Wrightit porse gabimisht e kishte nxjerrë pistoletën.

Megjithëkëtë, protestuesit dhe familjarët e Wrightit kanë pretenduar se nuk ka justifikime për të shtënën dhe se rasti tregon se sistemi gjyqësor është i pozicionuar kundër qytetarëve me ngjyrë, duke cekur se Wrighti ishte ndaluar për targat e skaduara të automjetit dhe ka ngelur i vdekur.

Potter (48) ka dhënë dorëheqjen të martën nga departamenti policor në Brooklyn Center, sikurse edhe shefi i policisë, Tim Gannon.

Gannon ka publikuar xhirimet e kamerës së vendosur në trupin e Potterit, vetëm një ditë pas vrasjes së të dielës.

Në xhirime shihet policja tek i afrohet Wrightit, ndërsa ai po qëndronte jashtë veturës përderisa një tjetër polic po e arrestonte lidhur me fletarrestimin e mëhershëm.

Fletarrestimi ishte lëshuar pasi që Wright nuk ishte shfaqur në gjykatë për akuzat se u ka ikur policëve dhe kishte poseduar armë pa leje gjatë një ballafaqimi me policinë e Minneapolisit, në muajin qershor.

Teksa Wrighti ballafaqohet me policinë, Potteri dëgjohet tek bërtet: “Do ta përdor elektroshokun! Elektroshokun!”, para se ta shkrepë një të shtënë të vetme nga revolja.

As padia dhe as dorëheqjet e dy policëve nuk kanë ndikuar në ndaljen e trazirave që kanë shpërthyer në Minnesota shkaku i vrasjes.

Policia dhe protestuesit janë përleshur për të tretën natë radhazi, me ç’rast me qindra demonstrues janë mbledhur përpara stacionit policor në Brooklyn Center. Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Më shumë se 60 persona janë arrestuar, ka konfirmuar policia në Minnesota.

Në një protestë tjetër në Portland të Oregonit, më shumë se 100 persona marshuan drejt stacionit policor gjatë tubimit të cilësuar si rebelim.

Portlandi gjatë vitit të kaluar ishte epiqendër e protestave të mëdha kundër vrasjes së afro-amerikanit tjetër, George Floyd, nga zyrtarët policorë./Gazeta Sinjali/