image Policia kap në flagrancë dy të mitur në Mitrovicë, sekuestrohen dhjetëra monedha metalike false

Siguri

Policia kap në flagrancë dy të mitur në Mitrovicë, sekuestrohen dhjetëra monedha metalike false

news image

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen në vazhdimësi, ku është zbuluar se kartëmonedhat që raportohen më së shumti si të falsifikuara janë ato prej 50 dhe 100 euro, kurse monedhat metalike prej 2 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Përveç rasteve që denoncohen, edhe Policia shpesh i kap të dyshuarit në flagrancë me dhjetëra e qindra euro, që dyshohet se i kanë për qëllim që t’i vënë në treg. Kështu ka ndodhur mbrëmë në Tavnik të Mitrovicës, ku Policia i ka ndaluar dy të mitur, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme. 

Burimet e Sinjalit thonë se pas kontrollit të dy të miturve, njëri 16 e tjetri 17-vjeç, Policia ua ka gjetur rreth 300 euro, në monedha metalike prej 2 eurosh, që dyshohen të jenë të falsifikuara. Paratë janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion për intervistim. 

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Falsifikim i parasë”.

Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

/GazetaSinjali/