Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se një rast i tillë është raportuar dje në Vushtrri, ku dy persona pasi kanë parë zyrtarët policorë teksa po patrullonin me biçikleta, kanë hedhur në tokë pakon e cigareve, brenda së cilës kishin fshehur substancë të dyshuar narkotike.
Me të vërejtur gjestin e të rinjve, Policia i ka ndalur ata dhe në praninë e tyre kanë kontrolluar pakon e cigareve, ku kanë gjetur tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Kjo ka bërë që dy personat të arrestohen dhe të dërgohen në stacion policor për intervistim dhe me vendim të prokurorit ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.