image Plas sherri për pronë mes vëllezërve Hotlani në Kamenicë, bashkë me djemtë e tyre rrahen me mjete të forta

Siguri

Plas sherri për pronë mes vëllezërve Hotlani në Kamenicë, bashkë me djemtë e tyre rrahen me mjete të forta

news image

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë incidente në familjet kosovare, që shpeshherë po eskalojnë edhe në kërcënime serioze e në perleshje brutale. Të dyshuarit jorrallëherë dalin të jenë edhe baballarët me fëmijët e tyre ose vëllezërit mes vete, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe të premten në Kamenicë, ku dy vëllezër bashkë me djemtë e tyre kanë përfunduar në pranga të Policisë si pasojë e një konflikti të tillë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy vëllezërit Hotlani, secili me djemtë e tyre janë kapur mes vete, duke goditur njëri-tjetrin edhe me mjete të forta, për shkak të telasheve familjare që lidhen me pronë.

Sipas informacioneve të para, mes palëve fillimisht ka nisur një zënkë, por për shkak se të njëjtit s’janë marrë vesh, të dyshuarit e kanë sulmuar njëri-tjetrin, duke pësuar kështu lëndime trupore.

Posa rasti është denoncuar në Polici, të dyshuarit fillimisht kanë marrë ndihmën mjekësore në spital e më pas që të katërt janë shoqëruar në Polici si të dyshuar.

Të njëjtit janë intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohen dhe pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit policor.

/GazetaSinjali/