image Pesë vjet më parë, Hashim Thaçi u bë president i Kosovës - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

97.996

Të shëruar

82.064

Të vdekur

1.988

Pesë vjet më parë, Hashim Thaçi u bë president i Kosovës

news image

Sot pesë vjet, mes shumë tensionesh në Kuvend e jashtë tij, Hashim Thaçi, ishte zgjedhur president i Kosovës.

Ai mori besimin e 71 deputetëve në raundin e tretë, më 26 shkurt 2016.

Në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve, për çka në të tretin i mjaftonte shumica e thjeshtë prej 61 votash.

Zgjedhja e tij ishte kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare, ku edhe ishte hedhur gaz lotsjellës.

Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit diskutuan kundër zgjedhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre, ata vunë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Derisa po zhvilloheshin raundet e votimeve, jashtë objektit të Kuvendit, policia përdori gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish. Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues ishin lënduar gjatë përleshjeve.

Hashim Thaçi detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.

Para se të bëhej president, Thaçi ishte për një vit zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe kryeministër i Republikës së Kosovës për dy mandate (2007-2014).

Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur kryetar i partisë, deri në dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për president të Kosovës.

Hashim Thaçi nuk arriti të çojë deri në fund mandatin e presidentit, pasi më 5 nëntor u arrestua dhe u transferua në Hagë, me urdhër të Gjykatës Speciale.

Pas largimit të tij, postin e mori kryetarja e atëhershme e Kuvendit, Vjosa Osmani, si ushtruese e detyrës.

Tash, Kosova është para zgjedhjes së re të presidentit.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin